Pas artikullit të medias greke ‘Protothema’, e cila shkruante se kryeministri Edi Rama ka sulmuar verbalisht gazetarin grek në panelin e mbajtur dy ditë më parë në Abu Dhabi, ka reagon kreu i qeverisë shqiptare.
“Mendoni se keni monopol mbi filozofinë dhe jeni trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Platonit dhe Aristotelit, por nuk jeni”, është kjo deklarata e shkëputur nga Edi Rama, i cili iu drejtua gazetarit greko-amerikan John Defterios pasi ky i fundit i shqiptoi emrin gabim.
Por pas lumit të kritikave në mediat fqinje, Rama shprehet se tonet e tij nuk kanë qenë aspak tendencioze, por vetëm humor miqësor.
“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!
Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare shton më tej: Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian; që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë! U kuptuam? Shpresoj po.
Në fund Rama e mbyll me një ‘qartësim’.
“Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit! Kaq”, shkruan Rama.




















