Tani kemi të bëjmë vërtet me një projekt apo diçka më shumë. Nëse në fillim të sezonit, te Interi kishte një pikëpyetje të madhe me ardhjen e Cristian Chivu në pankinë dhe me një organikë të tronditur nga fundi traumatik i sezonit, pas disa muajsh dhe me vendin e parë në klasifikim, po arsyetohet për një investim të rëndësishëm.
Por në këtë pikë gjithçka duhet bërë sipas kushteve të vendosura nga Oaktree, pronarët e klubit milanez; do të shpenzohet vetëm për futbollistë me perspektivë dhe jo operacione të tipit Cristiano Ronaldo te Juventus
Për këtë arsye dhe jo vetëm, Nico Paz i Comos do të ishte operacioni perfekt. Prej një viti e gjysmë ai është nën vëzhgimin e drejtuesve të Interit me zv/presidentin Javier Zanetti që ka krijuar një raport miqësor me babain e futbollistit. Por sigurisht që kjo nuk mjafton. Nico Paz është futbollist i Comos, por Reali i Madridit mund ta riblejë në muajt e verës së ardhshme për 9 milionë euro ose në 2027 për 10 milionë. Kështu që lind pyetja, çfarë do ndodhë?
Në këtë pikë, është e nevojshme të studiohet një formulë që mund të tundojë Los Blancos, është e nevojshme të imagjinosh një ofertë prej të paktën 50 milionë euro dhe përfshirjen e një klauzole për riblerjen. Atëherë mund të nisin tratativat për atë që Francesco Totti e ka përshkruar si të vetmin futbollist të Serie A që ia vlen ta shohësh në aksion. Por janë edhe dy konsiderata të tjera; e para, Reali i Madridit sapo ka ndryshuar trajner dhe duhet kuptuar nëse Arbeloa apo ai që do të marrë vendin e tij ka ndërmend t’i krijojë hapësira Nico Paz. E dyta, në rolin e Paz(pak a shumë) Reali i Madridit ka një tjetër talent si Franco Mastantuono; pyetja që lind është: a do të ketë hapësirë për të dy? Në pritje të një përgjigjeje, Inter vazhdon të qëndrojë aty dhe të paraqitet rregullisht në tribunë kur luan Como përmes vëzhguesve të tij.
Një operacion shumë i rëndësishëm për Interin do të jetë ai për portierin e ri. Mosha e Sommer dhe mosshpërthimi i Josep Martinez imponojnë një investim të rëndësishëm. Prej kohësh ziklatrit po monitorojnë Guglielmo Vicario që te Tottenham po bën paraqitje të mirë. Një profil jo shumë i ri, por i besueshëm, me pagë të përballueshme dhe që vlen 30 milionë euro. Për Interin duket se nuk do ta ketë të vështirë për ta bindur edhe pse po merren në konsideratë si alternativë edhe Suzuki i Parmës dhe Atubolu i Freiburg.
Një tjetër pikëpyetje e madhe ngrihet për rolin e organizatorit. Hakan Calhanoglu mund të kryejë këtë rol deri në fund të sezonit, Galatasaray me siguri do të bëjë një tjetër tentativë për të. Kështu që nuk përjashtohet mundësia që Interi të hedhë sërish sytë nga Manu Konè. Paraqitjet e francezit me Romën, kanë treguar se Chivu dhe Ausilio kishin të drejtë që e kërkonin në skuadër. Por këtë radhë Interi duher të rrisë ofertën për të bindur drejtuesit e Romës e sidomos Gasperinin për ta lejuar largimin e Konè. Si alternativë në këtë pikë, klubi milanez pëlqen Hjulmand, kapitenin e Sporting të Lisbonës, për të cilin kishin bërë një sondazh edhe në muajt e verës së kaluar por që ka një klauzolë të zgjisdhjes së kontratës prej 70 milionë eurosh.
Të tjera lëvizje në mesfushë me janë edhe largimet thuajse të sigurta të Frattesi dhe Mkhitaryan. Po studiohet mundësia e kthimit të Aleksandar Stankovic nga Brugge, ndërsa në krahë pëlqehet ende Palestra, por Atalanta e vlerëson me një shifër të lartë. Në mbrojtje, Mlacic është perspektiva, me Interin që e ka marrë tashmë, por që duhet të mendojë për largimet e Acerbit dhe De Vrij. I vetmi repart ku Interi nuk ka nevojë që të ndërhyjë në merkato është sulmi, gjithnjë nëse nuk vjen ndonjë ofertë marramendëse për Thuram. Nëse kjo do të ndodhë, sytë do të hidhen sërish nga Castro, me bekimin e Lautaro Martinez.




















