Aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari ka rikthyer në vëmendje çështjen e lobimit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara, duke publikuar dhe komentuar dokumente zyrtare që, sipas saj, tregojnë se kontrata e lidhur me firmën lobuese Continental Strategies ka pasur si qëllim kryesor heqjen e sanksioneve “non grata” ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berisha.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Kokalari thekson se problemi nuk qëndron vetëm te shuma e përfolur e kontratës, por te mënyra se si është paraqitur publikisht ky lobim gjatë fushatës elektorale dhe te deklarimet e bëra nga vetë Berisha, i cili ka mohuar se kontrata lidhefj me interesat e tij personale.
Continental është i kontraktuar për kauzat e drejta të PD-së… nuk ka asnjë sekret dhe gjithçka është transparente”, citon Kokalari deklaratën e Berishës në një konferencë për shtyp, ku ai pretendonte se lobimi kishte si synim vetëm përmirësimin e marrëdhënieve mes Partisë Demokratike dhe SHBA-së.
Sipas Evi Kokalarit, dokumentet e depozituara pranë FARA hedhin poshtë këtë version. Ajo thekson se në një deklarim të bërë më 1 dhjetor 2025 nga Continental Strategies rezulton se 750 mijë dollarë janë transferuar drejtpërdrejt nga Partia Demokratike e Shqipërisë për pagesën e shërbimeve lobuese.
“Pra, nuk ishin demokratët e diasporës dhe as individë privatë që paguan, por vetë Partia Demokratike”, shkruan Kokalari, duke shtuar se kjo bie ndesh me narrativën publike të ndërtuar në studio televizive gjatë fushatës.
Ajo vë në dukje gjithashtu se në deklarimet e Continental pranë FARA-s përmenden telefonata, emaile dhe takime me përfaqësues të Departamentit të Shtetit, të cilat fillimisht janë klasifikuar si “American Policy towards Albania”, por më pas janë specifikuar qartësisht si “Assessment of 7031(c)”, një referencë direkte ndaj nenit të ligjit amerikan që parashikon ndalimin e hyrjes në SHBA për zyrtarë të huaj të përfshirë në korrupsion.
“Këtu nuk ka më asnjë dyshim se ky ishte lobim për Sali Berishën dhe familjen e tij”, shkruan Kokalari, duke argumentuar se qëllimi real i kontratës ishte heqja e sanksioneve dhe, nëse ishte e mundur, sigurimi i një vize për Berishën.
Në fund të reagimit të saj, Evi Kokalari ngre disa pikëpyetje për institucionet shqiptare, duke kërkuar reagim nga SPAK dhe KQZ. Ajo pyet nëse këto fonde janë deklaruar pranë KQZ-së, nëse përdorimi i fondeve partiake për çështje personale të një politikani është i ligjshëm dhe nga cili burim kanë ardhur 750 mijë dollarët e transferuar nga PD-ja.
Postimi i Kokalarit e rikthen kështu në qendër të debatit një çështje të mbetur pezull: nëse lobimi i kontraktuar në SHBA ka qenë për interesa të përgjithshme të Partisë Demokratike apo për një kauzë strikt personale të kryetarit të saj, me pasoja të mundshme politike dhe ligjore.























