E ardhmja e Gigio Donnarumma-s mund të rezervojë sërish një kthim në Serie A. Enzo Raiola, agjenti i portierit italian, ka lënë derën hapur për një rikthim të mundshëm në kampionatin italian, gjatë një interviste të dhënë për Rai.

Sipas Raiolës, Donnarumma e ka gjetur qetësinë dhe ambientin e duhur te Manchester City, ku po kalon një periudhë pozitive në karrierën e tij. Megjithatë, nostalgjia për futbollin italian mbetet e pranishme.

“Ai po gjen qetësi”, u shpreh agjenti, duke shtuar më pas qartë: “Nëse lind mundësia për t’u rikthyer në Itali, ne do ta shfrytëzojmë”.

Këto deklarata pritet të ndezin spekulimet për të ardhmen e portierit të Kombëtares italiane, i cili mbetet një nga emrat më të rëndësishëm në rolin e tij në arenën europiane.