Teksa kanë kaluar pak ditë nga publikimi online, Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe është bërë pjesë e diskutimeve dhe debateve në opinionin publik.

Mes 125 mijë njësive leksikografike që gjenden te fjalori.online, lexuesit kanë shprehur kundërshtime për kuptimet që u janë dhënë disa prej fjalëve.

Për studiuesin e historisë politike, Afrim Krasniqi, terminologjia që lidhet me politikën ka nevojë për rishikim. Ai citoi kuptimin e dhënë fjalës parti, si një organizatë politike e një klase a shtrese shoqërore, që ka programin e statutin e vetë dhe që lufton për të mbrojtur interesat e klasës a të shtresës shoqërore, në kundërshtim me shpjegimin juridik dhënë për partitë politike.

“Duket një shpjegim që i përket një kohe tjetër, një sistemi tjetër politik e shoqëror”, u shpreh Krasniqi.

Pas këtij statusi publik nga politologu, në fjalor u reflektua një ndryshim, duke e përcaktuar tashmë partinë si organizatë njerëzish me bindje të caktuara politike që garon në zgjedhje për të fituar vende në qeverinë lokale ose kombëtare.

Hartuesi i kësaj fjale, profesor Valter Memisha shprehet se ekipi i gjuhëtarëve mirëpret sugjerime për përmirësimin e fjalorit.

“Profesor Afrim Krasniqi kishte një propozim të bukur, për arsye se ishte thjesht nocioni juridik i fjalës ‘parti’. Unë e kam parë në një kënd tjetër, ofrimi i atij përkufizimi është tepër me vlerë dhe ne mirëpresim sugjerime të tilla“, tha Akademik Prof. Dr. Valter Memisha.

Krasniqi vuri në dukje një tjetër shembull që e cilësoi si absurd, ku ‘profesorë’ thuhet se janë ata që kanë përgatitur ose botuar botuar vepra shkencore origjinale të një cilësie të lartë ideologjike e shkencore.

“Shaka është kjo? 35 vjet pas rënies së sistemit totalitar, në të cilin cilësia ideologjike ishte kriter mbi atë shkencor, cilësia ideologjike rivjen si standard”, tha studiuesi Krasniqi.

Pas kritikave në rrjetet sociale, edhe ky shpjegim u ndryshua në fjalorin online.

“Fjalori ka këtë të mirë, se është në sistemin online dhe kjo të ndihmon të ndërhysh, të sistemosh, të plotësosh. Prandaj ne pranuam që vepra të rrijë nëntë muaj si maket. Ta shohë përdoruesi, të bëjë vërejtje. Na kanë ardhur mjaft sugjerime, kjo tregon që populli, qoftë publicist, qoftë gazetar, ka kontaktuar me veprën dhe ka synimin për ta pasuruar veprën”, shtoi profesor Memisha.

Sipas studiuesit, shumë fjalë të tjera në këtë vepër që meriton të gjithë vëmendjen e duhur institucionale, publike dhe akademike, duhen korrigjuar, redaktuar, depolitizuar dhe këshilluar me ekspertët e fushave. Ndërkohë, Akademia e Shkencave shprehet se është e angazhuar për përmirësimin e veprës.