Lezha ishte qyteti ku ish-deputeti i PD Ervin Salianji zhvilloi foltoren e radhës ditën e sotme. Në këtë takim morën pjesë një numër i madh demokratësh, të cilët mbushën plot Pallatin e Kulturës në këtë qytet.

Gjatë fjalës së tij, Salianji ka deklaruar se nuk ka asnjë synim për të krijuar një forcë tjetër politike, duke theksuar se angazhimi i tij mbetet brenda Partisë Demokratike, të cilën synon ta bëjë parti fituese.

‘Unë nuk do të krijojë forcë tjetër politikie, shtëpia ime është Partia Demokratike dhe ne atë do ta bëjmë fituese. Shqetësimi është se si 5 fantastikët që janë lidership të PD nuk i dëgjojnë shqetësimet e demokaratëve’, tha ai.

Salianji është shprehur se statuti i PD-së nuk parashikon përjashtime për mendim ndryshe, por sipas tij, të largon nga pozita në parti në momentin që humbet zgjedhjet.

“Kjo puna e përjashtimeve ka vetëm një element. Nuk përjashtohet njeri për mendim ndryshe. PD është demokratizuar edhe me statut. Dhe statuti nuk të largon për mendim ndryshe, por vetëm nëse humbet zgjedhjet. PD ka nevojë për ripërtëritje”, tha mes të tjerash Salianji.

Ai tha se PD duhet të bëhet forcë fituese duke bashkuar të gjithë opozitarët që, sipas tij, prej 13 vitesh “derdhen në opozitë”. Salianji theksoi se vetëm përmes bashkimit të plotë të opozitës mund të realizohet rotacioni politik në vend.

‘Duhet ta bëjmë PD fituese, të bashkojmë të gjithë demokartët që dergjen prej 13 vitesh në opozitë, të bashkojmë popullin opozitar dhe të bëjmë të mundur rotacionin. Ne i kemi qëndruar qëndruar përballë qeverisë më banale dhe më të korruptuar në historinën e Shqipërisë. Kam marrë shumë mesazhe nga demokratë nga i gjithë vendi. Por ajo që po ndodh në Lezhë është se salla është e mbushur plotë. Demokratët duan ndryshim, Shqipëria do ndryshim. Demokratët e Lezhës i kanë provuar të gjitha, në këto vite gabimet e lidershipit të PD dhe braktisje nga lidershipi, por se kanë humbur shpresën asnjëherë’, tha ai.

Salla e mbushur plot në takimin e Salianjit tregon se demokratët nuk i janë bindur thirrjes së PD-së për ta bojkotuar takimin e Salianjit, ku një ditë më parë, PD e Sali Berishës u dërgoi demokratëve të Lezhë një mesazh ku u kërkohej të mos bëhen pjesë e takimit.

Në mesazh demokratëve u thuhej se takimi i Salianjit ka tërësisht axhendë private dhe se po organizohet me ndihmën e kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu.