Fermerët do të përfitojnë kompensim të TVSH-së në masën 10 % për blerjen e imputeve. Por cila është procedura për ta përfituar atë përmes autofaturimit?
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se blerësi i regjistruar për TVSH-në si grumbullues, përpunues ose agroturizëm i certifikuar, lëshon faturë tatimore (autofaturë) në emër të prodhuesit bujqësor (fermerit) për mallrat ose shërbimet e blera. Vlera e faturës përdoret për llogaritjen e kompensimit dhe në të duhet të shënohet NIPT i prodhuesit dhe elementet e tjera të faturës tatimore sipas ligjit.
Por çfarë kushtesh duhet të plotësojnë fermerët për kompensim? Një ndër to është qarkullimi vjetor I cili nuk duhet të tejkalojë kufirin minimal të regjistrimit të TVSH-së. Produktet ose shërbimet duhet të jenë rezultat i punës së tij bujqësore. Mallrat ose shërbimet shiten tek persona të tatueshëm që nuk përfitojnë nga skema e kompensimit. Si dhe duhet të jenë të pajisur me numër identifikimi NIPT nga administrate tatimore, pa pasur detyrim periodik për deklarimin të TVSH-së.
Norma e kompensimit është 10 për qind e vlerës totale të produkteve të furnizuara nga prodhuesi bujqësor, të dokumentuara me fatura tatimore, përgjatë një periudhe 6 mujore.
Fermeri duhet të dorëzojë në administratën tatimore kërkesën për kompensim elektronikisht ose përmes shërbimit postar, duke bashkëlidhur kopjen e faturave të lëshuar nga blerësi I mallrave dhe shërbimeve bujqësore dhe numrin e llogarisë së tij bankare.
Kërkesa për kompensim bëhet me bazë 6-mujore. Brenda datës 31 dhjetor të vitit 2026 për furnizimet e kryera nga janari deri në qershor të vitit 2026 dhe brenda datës 30 qershor të vitit 2027 për furnizimet e kryera nga korriku deri në dhjetor 2026. Kompensimi nga administrata tatimore kryhet brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës nga fermeri./scan.tv




















