I ftuar këtë të martë në edicionin informativ të Euronews Albania, me moderator Thimi Samarxhiun, ka qenë gazetari Artan Hoxha. Hoxha ka folur për çështjen e “21 Janarit”, ku ka dhënë detaje që, sipas tij, tregojnë manipulimin që është bërë me serverët.

“Ajo që na është thënë është që serveri i Kryeministrisë nuk punonte; është vërtetuar që punonte. Që serveri i Gardës për komunikimet në radio nuk punonte është një gënjeshtër e madhe. Sepse unë e kam deklaruar edhe në BKH, sepse është parë që komandanti i Gardës flet me kufje në vesh. Ata nuk i mbajnë radiot aty sepse do të dalin fotografi, ata i mbajnë aty sepse do të komunikojnë. Derisa është komunikuar, gjenden. Është libri i shërbimit dhe është memoria. Strasburgu ka thënë që është penguar hetimi i çështjes. U ngrit narrativa që nuk e ka pasur policia. Pamjet treguan se vrasjet i bëri Garda. Tani 21 Janari është kthyer në hipokrizi. Hetimi shterues nuk është bërë asnjëherë dhe t’i japim një ndjenjë çlirimi familjarëve dhe atyre që kanë humbur jetën,” – tha Hoxha.