Katër deputetë të Partisë Demokratike – Klevis Balliu, Ivi Kaso, Belind Këlliçi dhe Besart Xhaferrraj ndodhen në Washington, ku kanë marrë pjesë në një forum për sigurinë. Nga kryeqyteti amerikan ata kanë postuar një selfie të përbashkët, shoqëruar me mesazhe solemne për rëndësinë e sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar.
Në postimin e tyre, deputetët theksojnë se “siguria është kyçe për zhvillimin” dhe se lufta kundër kartelave të drogës është një hap i domosdoshëm për stabilitet. Ata vënë në dukje se administrata Trump në SHBA e ka intensifikuar këtë betejë, ndërsa Shqipëria, sipas tyre, duhet të forcojë institucionet e drejtësisë për të garantuar një mjedis të sigurt dhe zhvillim afatgjatë.
Por pas fasadës së këtij mesashi solemn duket në sfond duke mbajtur fjalim vetë Niko Peleshi.
Pasi u përballën në Tiranë me atë që vetë e quajnë “narkoregjim”, deputetët e opozitës paskan shkuar deri në Kongresin amerikan… për të dëgjuar fjalimin e Niko Peleshit.
Vetë kryetari Kuvendit ka publikuar pamje nga salla e forumit, ku shihet duke mbajtur fjalë e tij zyrtare. Në këtë kontekst, prania e deputetëve të PD-së në auditor duket paradoksale: ata që e akuzojnë mazhorancën në Tiranë, e ndjekin nga afër përfaqësuesin e saj në Washington. Dhe me foto madje…
Në vend që përballja politike të ndodhte në Kuvend apo në terrenin e brendshëm, ajo u zhvendos – të paktën simbolikisht – në një sallë amerikane, ku opozita u kthye në audiencë e kreut të Kuvendit.
Nga postimet e tyre në rrjetet sociale, “ekskursioni” duket se po ecën mirë mes takimesh, fotosh dhe mesazheve për sigurinë globale. Ndërkohë, beteja reale politike me qeverinë mbetet aty ku ka qenë: në Shqipëri./VNA




















