Administrata Trump i ka dhënë fund statusit të përkohshëm të mbrojtur (TPS) për shtetasit jemenas në SHBA. Kështu njoftoi të premten sekretarja e sigurisë kombëtare, Kristi Noem.
Noem tha se vendimi për t’i dhënë fund mbrojtjeve humanitare që u japin lehtësim deportimi dhe leje pune më shumë se një mijë jemenasve në SHBA u mor pasi u përcaktua se kjo ishte kundër interesit kombëtar” të SHBA-së.
TPS ofron ndihmë për njerëzit që ndodhen tashmë në SHBA nëse vendet e tyre të origjinës përjetojnë një fatkeqësi natyrore, konflikt të armatosur ose ngjarje të tjera të jashtëzakonshme. Administrata Trump është përpjekur t’i japë fund shumicës së regjistrimeve në program, duke thënë se kjo bie ndesh me interesat e SHBA-së.
“Pas shqyrtimit të kushteve në vend dhe konsultimit me agjencitë përkatëse qeveritare të SHBA-së, përcaktova se Jemeni nuk i plotëson më kërkesat e ligjit për t’u përcaktuar për statusin e mbrojtjes së përkohshme”, tha ajo.
Rreth 1,380 shtetas jemenas ishin të mbuluar nga TPS që nga 31 marsi 2025, sipas Shërbimeve të Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së. Statusi u zgjat për herë të fundit në vitin 2024 dhe ishte caktuar të skadonte më 3 mars të këtij viti.




















