Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaron se Kuvendi ka të drejtën kushtetuese të ristrukturojë komisionet parlamentare. Në një intervistë për tv Klan, Balla tha se kjo e drejtë buron nga Kushtetuta ndërsa bëri të ditur se të hënën, me firmën e tij dhe të dy deputetëve të tjerë socialistë, është ridepozituar propozimi për shtimin e numrit të komisioneve të përhershme nga 8 në 11.
“Është provuar se 11 komisione janë më efektive se 8”, theksoi ai.
Sipas Ballës, ndryshimet e propozuara nuk cenojnë raportimin e institucioneve të pavarura në Kuvend.
Ai sqaroi se këto institucione do të vazhdojnë të raportojnë në komisionet përgjegjëse, por do të raportojnë gjithashtu edhe përpara komisionit për nismat qytetare.
“Nuk ndryshon asgjë. Institucionet e pavarura, siç kanë raportuar në komisionet përgjegjëse, do të vijojnë, por do të raportojnë edhe përpara komisionit të nismës qytetare”, tha Balla.
Ai shtoi se një nga problemet e Kuvendit ka qenë mungesa e kontrollit mbi zbatimin e rekomandimeve të dhëna ndaj institucioneve të pavarura, ndërsa inspektimet parlamentare janë praktikë e njohur ndërkombëtare.
Një tjetër propozim i socialistëve është edhe ulja e kohës së diskutimit për projektligjet në seancë plenare nga 10 në 5 minuta për çdo deputet.
“Ky është një model respekti për deputetët. Nuk është shkelje e të drejtës, është standard europian. Nga 10 minuta për 140 deputetë është shumë…” shprehet Balla.
Në intervistë ai komentoi edhe çështjen e kërkesës së SPAK për Belinda Ballukun, duke thënë se socialistët do të shfrytëzojnë të gjithë afatin dyjavor për shqyrtimin e saj para se çështja të kalojë në seancë plenare.
“Po punohet ende, do të depozitohet në Kuvend. 83 deputetëve të PS duhet t’ju bëhet një prezantim për këtë çështje, pastaj ta kalojmë në seancë”.










