Nga Erlis Hereni/
Lufta në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë rikthyer ethshëm në qendër të planifikimit të shteteve Evropiane të mbrojtjes evropiane një realitet që për vite ishte konsideruar i mirëqenë, apo i “lënë pas dore” që pas Luftës së Dytë Botërore: infrastruktura është po aq e rëndësishme sa dhe vetë kapacitetet ushtarake. Në këtë kontekst të ri strategjik, Adriatiku po rikthehet gradualisht në hartën e planifikimit të sigurisë evropiane.
Adriatiku dhe korridoret e reja të sigurisë
Historikisht, Adriatiku ka shërbyer si korridor natyror që lidh Mesdheun me Evropën Qendrore dhe Ballkanin. Ballkani Perëndimor ndodhet në kryqëzimin e disa korridoreve të rëndësishme logjistike, energjetike dhe infrastrukturore. Stabiliteti i rajonit dhe zhvillimi i infrastrukturës së tij lidhen drejtpërdrejt me aftësinë e aleancës për të projektuar stabilitet dhe për të reaguar shpejt ndaj sfidave të sigurisë.
Në këtë kuadër, zhvillimi i portit të ri në Porto Romano, e shndërron Shqipërinë në një nyje të rëndësishme të mobilitetit strategjik në Adriatik, duke tejkaluar dimensionin kombëtar (Shqipëri – Kosovë – Maqedoni) mbi të cilin ky projekt u ideua.
Përtej perditësim – renovimit të kapacitete logjistike civile, në koordinim të plotë me Aleancën, Porto Romano mund të shkëlqejë si infrastrukturë me përdorim të dyfishtë, duke mbështetur njëkohësisht zhvillimin ekonomik të shqipërisë, por më e rëndësishmja aktualisht, duke u kthyer në pikë fokale për bashkërendimin e sigurisë në emër të NATO, si një portë hyrëse e mobilitetit strategjik nga Adriatiku drejt Ballkanit. Së fundmi, procedura e tenderimit për ndërtimin e tij u ndërpre për mungesë ofertash brenda afatit; një reflektim i qartë i sfidave institucionale dhe turbolencave politike që rrethojnë projektin. Por në një shtet me standarde demokratike kontrollet mbi procese të tilla janë krejt të natyrshme dhe të nevojshme për të garantuar integritetin e këtyre projekteve strategjike e duke shmangur që interesi i vendeve të tjera apo xhelozive rajonale të pengojë zhvillimin e Shqipërisë si nyje infrastrukturore kritike për NATO-n.
Ballkani, nga përfitues sigurie në kontribuues sigurie
Shfrytëzimi i plotë i këtij potenciali shqiptar në një rajon si Ballkani kërkon një qasje të qartë strategjike edhe nga politika shqiptare.
Përtej zhurmës mediatike të ditës, zhvillimi i Porto Romanos është element kyç edhe në planin e konsolidimit të korridoreve të mëdha infrastrukturore që lidhin Adriatikun me brendësinë e rajonit, si psh Korridori VIII, që dhe lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes Ballkanit. I konsideruar nga NATO si pjesë e infrastrukturës kritike për mobilitetin strategjik, ky korridor mund të shndërrohet në një nga arteriet kryesore të lidhjes logjistike midis Adriatikut dhe Evropës Juglindore.
Krahas përpjekjeve të brendshme të qeverisë Shqiptare për ridimensionimin e industrisë ushtarake, si dhe modernizimin e bazës Ajrore në Kuçovë apo edhe përshtatja eventuale e pistave të tjera të mundshme, Shqipëria mund të shndërrohet gradualisht në një platformë logjistike për praninë e aleancës në krahun jugor të Evropës.
Për një vend të vogël në gjeografi, por gjithnjë e më të lidhur me botën euroatlantike, ky është një moment që kërkon vizion strategjik. Nëse Shqipëria dështon të ndërtojë rolin e saj si portë strategjike e Adriatikut për mobilitetin euroatlantik, ‘si drita e diellit’ që dikush tjetër në rajon do ta bëjë. Ky pra është qartësisht momenti për të vepruar m vizion dhe koordinim të ngushtë me aleatët, duke konfirmuar qasjen aktive të Shqipërisë në stabilitetin dhe mobilitetin strategjik të Aleancës.




















