Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi nga salla plenare menjëherë pas votimit për çështjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, duke akuzuar mazhorancën se Kuvendi është përdorur prej vitesh për të mbrojtur interesa të ngushta dhe për të ngritur një sistem të padrejtë në dëm të qytetarëve.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se për 14 vite me radhë Parlamenti është kthyer në një “noteri” të vendimeve që kanë favorizuar interesa të veçanta ekonomike, përmes ligjeve dhe vendimeve që kanë dhënë favore fiskale, koncesione, porte dhe aeroporte.
Sipas saj, ky sistem ka dëmtuar ekonominë shqiptare dhe ka shtuar fenomenin e emigrimit, pasi të rinjtë nuk shohin më meritokraci dhe mundësi në vend.
“Për 14 vite me radhë kjo sallë është përdorur si një noter për të mbrojtur interesa të veçanta biznesi. Janë ngritur kartonat për të dhënë favore fiskale, për të ndarë koncesione, porte e aeroporte, duke ngritur një sistem të padrejtë që sot është në kurriz të qytetarëve shqiptarë,” u shpreh Tabaku.
Ajo theksoi se votimi i fundit tregoi edhe njëherë, sipas saj, se mazhoranca përdor kartonat për të mbrojtur korrupsionin dhe për t’i dhënë mburojë politike abuzimeve me pushtetin.
“Ndërkohë që sot kartonat u ngritën për të mbrojtur korrupsionin dhe për t’i dhënë mburojë politike korrupsionit. Kjo e çon situatën në një nivel tjetër dhe tregon se sistemi po mbron vetveten,” deklaroi deputetja demokrate.
Tabaku paralajmëroi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar për të ardhmen e saj demokratike dhe europiane, duke theksuar se vendi është në një udhëkryq ku po testohet funksionimi i demokracisë dhe balanca e pushteteve.
“Shqipëria ndodhet në një udhëkryq ku po testohet demokracia dhe kontrolli i balancës së pushteteve. Është një moment ku duhet të ndryshojmë dhe të luftojmë këtë sistem që po i merr frymën ekonomisë dhe po mbyt demokracinë e brishtë shqiptare,” përfundoi Tabaku.




















