Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se përmes krijimit të kompanisë shtetërore të naftës do të bëhet një transformim i thellë i aktivitetit në tregun e hidrokarbureve, duke synuar mbrojtjen e konsumatorëve.
Duke folur për strukturën e çmimit të naftës, Rama sqaroi se nëse heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës çmimi do të bjerë, por të gjithë ata që kanë një automjet do të duhet të paguajnë 4-fishin e asaj që paguajnë sot.
Ndërkohë, Rama theksoi se ata që paguajnë sot më shumë janë ata që shpenzojnë më shumë naftë për qarkullim, pra ndotësit më të mëdhenj të ambientit.
“Përtej kësaj ne kemi marrë përsipër të bëjmë një transformim të thellë të të gjithë mënyrës se si zhvillohet aktiviteti në tregun e naftës, duke krijuar një kompani publike që do të marrë përsipër të garantojë rezervën strategjike të naftës. Rezervat strategjike janë shumë të rëndësishme pasi nuk mund të rrezikojmë të mbetemi pa naftë në një kohë të caktuar”, tha Rama.
Rama sqaroi se kjo kompani publike do të jetë edhe furnizuese e naftës dhe do të ndikojë në çmimin e naftës duke mbajtur anën e konsumatorëve, jo të distributorëve.
Po ashtu, Kryeministri theksoi se “është krijuar një kompani e përbashkët publike me Emiratet e Bashkuara që ka zëvendësuar disa nga praktikat koncesionare që ne trashëguam”.
“Njëra ka të bëjë me pullat fiskale dhe një tjetër për markimin e naftës, që ishin dështime. Por markimi i naftës ka shumë rëndësi për të mos lejuar të futet në rrjet naftë kontrabandë. Shumë shpejt ne do të fusim një produkt shumë të fortë që do të jetë i pamundur të shmanget dhe manipulohet”, tha Rama.
Ndërkohë, sipas tij, tjetër zonë gri e hapësirës së tregtimit të naftës është nafta tranzit, e cila rrezikon të futet kontrabandë.




















