Në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) do të zhvillohet sot në orën 09:00 seanca e radhës e gjyqit në themel për kryebashkiakun Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe 16 persona të tjerë dhe 12 shoqëri.

Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së Simoni, avokati i caktuar kryesisht i të pandehurit Fatjon Baci, policit të burgut të Durrësit i cili akuzohet se i dha telefonin e tij kryebashkiakut Veliaj gjatë një shoqërimi për në GJKKO.

Veliaj përfaqësohet në seanca nga ish-deputeti i PS, avokati Plarent Ndreca ndërsa vetë ka njoftuar se nuk do të jetë i pranishëm derisa sa të përfundojë së lexuari dosjen 60 mijë faqe që iu dërgua në qelinë e paraburgimit në Durrës, rreth 1 muaj më parë, 1 vit pas arrestimit.

Sakaq, GJKKO pezulloi afatet e paraburgimit nga seanca e kaluar e mbajtur më 1 prill deri më sot, për kryebashkiakun Erion Veliaj dhe biznesmenin Elban Abule. ta janë të vetmit nga 30 të pandehur, përfshirë shoqëritë, me masa sigurie, Veliaj arrest në burg, dhe Abule, në shtëpi.

Veliaj ndodhet në masë arresti me burg prej 10 shkurtit 2025 dhe ndaj tij janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.