Qendra e Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore në Tropojë zhvilloi një takim informues me banorët e fshatit Sopot, në Njësinë Administrative Tropojë Fshat, me fokus rritjen e ndërgjegjësimit mbi të drejtat ligjore dhe aksesin në shërbime juridike falas.
Gjatë aktivitetit, përfaqësues të qendrës theksuan rëndësinë e ndihmës juridike në zonat rurale, duke e cilësuar atë si një instrument kyç për garantimin e aksesit të barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët, pavarësisht vendbanimit.
Banorët e këtyre zonave përballen shpesh me sfida të shumta, si mungesa e informacionit ligjor, distanca nga institucionet dhe kostot e larta të shërbimeve juridike, faktorë që kufizojnë mundësinë për të kërkuar dhe përfituar drejtësi.
Përmes këtij takimi, synohet informimi i drejtpërdrejtë i komunitetit mbi shërbimet ligjore falas, si dhe inkurajimi i qytetarëve për të kërkuar mbështetje në rastet kur përballen me çështje ligjore.
Autoritetet nënvizojnë se rritja e ndërgjegjësimit në zonat rurale ndikon drejtpërdrejt në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, uljen e pabarazive dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.




















