Kryeministri Edi Rama foli për rrugën e Shqipërisë drejt Be ndërsa ftoi të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për të investuar në vendin e tyre. Rama nuk la pa përmendur as Kosovën që e cilësoi si shteti tjetër i pavarur i shqiptarëve.
“Këtu qëndron ndryshimi më i madh: falë reformave transformuese dhe përpjekjeve integruese, kemi kaluar nga një Shqipëri që përpiqej të mbijetonte në një që përpiqet të përmirësohet; nga një vend që kërkonte të pranohej ndërkombëtarisht, në një Shqipëri që respektohet si kurrë më parë. Sot është një vend që ndryshon çdo ditë, ndonjëherë ngadalë e ndonjëherë më shpejt, por në mënyrë të padiskutueshme Shqipëria ecën vetëm përpara. Shqipëria 2030 nuk është objektiv politik, por zgjedhje qytetërimi. Një rrugëtim që shumë prej jush e kanë jetuar duke u integruar në shoqëri që përfaqësojnë vlerat që ne synojmë të rrënjosim këtu në shtëpi. Ju më mirë e dini që kjo rrugë nuk është pa sfida; çfarë ju keni hequr në kurriz është e paharrueshme dhe vlen për të kujtuar atë që Shqipëria ka hequr në kurriz deri në ditën kur të ulet në tryezën e përbashkët evropiane. Asnjë transformim i madh nuk mund të jetë pa hequr të tëra në kurriz. Do të ketë, pa diskutim, zhgënjime, momente kur duket sikur asgjë nuk ia vlen, edhe momente kur progresi mund të duket i ngadalësuar, por asnjë rrugë suksesi nuk ndërtohet përmes rehatisë, dhe kombet jo e jo nuk ndërtohen në momente rehatie, por në tensione mes asaj që ishte dhe asaj që duhet të jetë. E bukura është ajo që Shqipëria mund të jetë; nuk është më një ëndërr e largët, por një rrugë e dukshme dhe e prekshme.
Zgjodha të sjell një gjest, një akt, një vendim të qenies, që mua më duket se ka brenda, përveç konkretësisë, edhe simbolikë. Paketa e maleve për të gjithë ata që e kanë lënë tokën e tyre në mal për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë Shqipërisë. Malet kanë qenë gjithmonë vendi ku shqiptarët janë tërhequr për t’u mbrojtur, për t’u fshehur nga ata që i kërkonin për t’i marrë rob e për t’i asimiluar, por sot ka ardhur dita kur malet mund të bëhen pjesë e burimeve të mirëqenies shqiptare. Kemi botën që vjen përmes vizitorëve të shumtë dhe eksploron edhe malet, dhe kemi shqiptarët e botës që tani e shohin që Shqipëria nuk është më e bukur vetëm për ta dhe për ata rrotull. I them shqiptarëve që kanë një tokë në mal e kodër që ta marrin në dorë paketën e maleve dhe ta kthejnë atë tokë, atë shtëpi, në burim mirëqenieje. Ajo që Shqipëria sot, që tërheq 12 milionë turistë në vit, është në gjendje të bëjë për ta, falë investimit të tyre dhe mbështetjes së qeverisë, është që nga ai burim i ri mirëqenieje ata do të fitojnë në fund të muajit më shumë sesa fitojnë duke punuar për të tjerët jashtë atdheut. Nga distanca në afërsi, nga kujtesa në angazhim, le të jemi të qartë: e ardhmja e Shqipërisë nuk shkruhet vetëm në Tiranë, Romë, Athinë, Londër, por në çdo vend ku shqiptarët jetojnë, punojnë dhe ëndërrojnë. E ardhmja shkruhet edhe kudo që shqiptarët jetojnë rreth e rrotull kufijve të Shqipërisë, duke filluar nga shteti tjetër i pavarur i shqiptarëve, Kosova, e duke vazhduar me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, të cilët s’duhet ta harrojë askush, janë një popull shtetformues i republikës mike, e duke vazhduar me shqiptarët në Malin e Zi e gjetkë”, tha Rama.




















