Gjykata e Posaçme ka dënuar me 4 vite burg ish-kryetarin e Bashkisë së Finiqit, Leonidha Hristo për “shpërdorim detyre”. Hristo përfitoi zbritje të dënimit me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe rrethana të tjera lehtësuese duke u dënuar përfundimisht me 2 vite heqje lirie. Të akuzuarit e tjerë për të cilët SPAK shpalli moskompetencën po hetohen nga Prokuroria e Sarandës.
Konkretisht bëhet fjalë për për Florian Peri, Stavro Çavo, Lefteria Mekshi, Lefter Karajani. Sipas SPAK, Hristo në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë gjatës periudhës 2017-2019 kanë zhvilluar disa procedura prokurimi në mënyrë fiktive dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurimet Publike.
Procedura e përpilimit/hedhjes së dokumentave të tenderave dhe procedura e vlerësimit të ofertave është kryer kryesisht nga Florian Peri dhe Stavro Cavo dhe jo nga anëtarët e NJP dhe KVO-së të caktuar në urdhrat përkatës tha organi hetues.
Ndërkohë që në aktet shkresore titullari i AK, Leonidha Hristo ka ngarkuar persona të tjerë, të cilët i kanë nënshkruar aktet e përpiluara dhe parapërgatitura nga zyrtarë të Bashkisë Finiq, kohë më vonë pas përfundimit të procedurave të prokurimit.




















