U cilësua si heroi i ngjarjes, pasi u pa teksa u ngjit nëpër shkallë fare pranë flakëve për t’i shpëtuar jetën një gruaje, të cilës i vuri në kokë kaskën e tij madje.

Zjarrfikësi Jonus Murataj ka rrëfyer për Top Channel momentin kur luftoi me flakët për të shpëtuar jetën e të moshuarës që ndodhej brenda në banesën që po digjej.

Ai u shpreh se zonja nuk pranoi të largohej nga shtëpia, por ai e bindi që ta nxirrte, duke i shpëtuar jetën.

Gjithashtu, Murataj tregon se përse i vendosi kaskën në kokë të moshuarës në momentin kur po zbrisnin nga autoshkalla.

“Me marrjen e sinjalit për zjarr, stacioni zjarrfikës Kinostudio ka mbërritur i pari në vendngjarje dhe, me mbërritjen në vendngjarje, komandanti i shërbimit, Gazment Çobani, bëri njoftimin për rrezikshmërinë e përhapjes së zjarrit. Falë ndërhyrjes së shërbimit zjarrfikës dhe ndërhyrjes së forcave operacionale, siç janë forcat e ushtrisë, autoshkallat, të gjitha shërbimet që bënë të mundur fikjen e seksioneve të tjera.

Kjo ishte ndërhyrja operacionale e forcave zjarrfikëse, shpërndarja e forcave, sepse edhe nga krahu tjetër është e njëjta gjë. Pra kemi bërë prerjen e zonës për të mos u përhapur zjarri në seksionet e tjera, sepse arsyeja kryesore ishin banorët që ishin brenda, evakuimi dhe fikja e flakëve. Kjo na e bëri shumë të komplikuar shuarjen e zjarrit.

Nga ndërhyrja e parë e stacionit zjarrfikës Kinostudio, në momentin kur ka mbërritur, ishte përfshirë e gjithë fasada e pallatit.

Në orarin e caktuar, ishin edhe erërat që favorizonin shpërndarjen e flakëve. Janë shumë faktorë. Inxhinierët mund ta thonë më saktë.

Unë isha drejtuesi i operacionit dhe i kisha shpërndarë forcat për fikjen e zjarreve. Dhe forcat shtesë që kishim njoftuar po vinin. Isha i detyruar të shkoja sepse më njoftoi e bija dhe më tha: ‘Kemi nënën brenda, është në katin e pestë’. U detyrova të ngjitesha. Me ngjitjen atje e gjeta zonjën brenda. Ishte e asfiksuar dhe thuajse e tmerruar.

Në momentin që unë i them: ‘Hajde se do të lëvizim që këtej’… zonja ishte me probleme shëndetësore nga zemra dhe më tha: ‘Më lër të digjem këtu me gjithë shtëpi’. Unë i hodha dorën në qafë dhe i thashë: ‘Hajde se ne do ta shuajmë flakën brenda shtëpisë dhe shtëpia do të jetë prapë funksionale për ju’.

Kaskën ia vendosa për një arsye. Nga lartësitë kishte shumë rënie të pjesëve metalike dhe tulla që binin nga nxehtësia e tepërt. Isha i detyruar t’ia vendosja. Në evakuimin nga autoshkalla, banori nuk është i specializuar të zbresë. Isha i detyruar që t’ia hiqja kaskën dhe ta zbrisja shëndoshë e mirë deri te ambulanca.

Vatrat janë totalisht të izoluara. Nuk ka rrezikshmëri për përhapjen në seksionet e tjera. Po punohet për zbardhjen e dëmit nga hetuesit, në bashkëpunim me ekspertët zjarrfikës, që të dalim në një konkluzion përfundimtar.

Zonja është shëndoshë e mirë. E kemi detyrë funksionale shpëtimin e jetës së njerëzve”, tha Murataj.