Shkolla 9-vjeçare “Kolë Jakova” në Tiranë është transformuar në një hapësirë moderne dhe dinjitoze për arsimimin e rreth 500 nxënësve të njësisë 11. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, inspektoi ambientet e reja teksa u shpreh se gjithçka është gati për të mirëpritur të rinjtë e kësaj njësie.
“Jemi këtu te shkolla “Kolë Jakova”, te Bregu i Lumit në njësinë Nr. 11, në një zonë gjysmë informale, me banorë rishtas por dhe me banorë të vjetër. Një shkollë që i shërben rreth 500 nxënësve dhe e ndërtuar shumë vite më parë dhe nuk ishte rikonstruktuar asnjëherë. Rikonstruksioni ka qenë i plotë, jo vetëm me hapësirat ekzistuese, por me hapësira shtesë të ambienteve sportive dhe mbështetëse. Gjithashtu ka pasur ndërhyrje për ambientet sportive, tualetet, dhomat e zhveshjes dhe çdo lehtësim tjetër duke përfshirë këtu dhe sistemin e ftohjes dhe të ngrohjes”, theksoi Ristani.
Më tej, ajo u shpreh se shkolla “Kolë Jakova” është e pajisur me të gjithë kushtet e nevojshme, ndërsa nënvizoi se ambientet e saj do të mund të shfrytëzohen nga komuniteti pas përfundimit të mësimit. “Hapësira për fëmijët këtu është jo vetëm e bollshme në aspektin didaktik, por edhe në aspektin rekreativ. Pas mësimit, shkolla është gjithashtu në shërbim të komunitetit. Shkolla është plotësisht e kompletuar tani për sa i përket infrastrukturës me mobilimin që të jemi në gjendje që t’i lëvizim fëmijët dhe të vazhdojë procesi mësimor jo vetëm normalisht, por akoma dhe më i përmirësuar me të njëjtat standarde si në qendër, ashtu në periferi të Tiranës”, tha Ristani.
Ndërkohë administratori i njësisë 11, Ilirjan Engjëlli, vlerësoi investimin duke theksuar se kjo është e vetmja shkollë në këtë bllok banimi të populluar me rreth 6000 banorë.
Ndërhyrja në shkollën 9-vjeçare “Kolë Jakova˝”, përfshiu rikonstruksionin e plotë të objektit me sistem ngrohje qëndror, rehabilitimin e palestrës me dhomat e reja të zhveshjes për nxënësit dhe sistemimin dhe rehabilitimin e të gjithë hapësirës rrethuese të objektit. Gjithashtu, u bë i mundur krijimi i laboratorëve të informatikës si dhe bibliotekës së shkollës si dhe hapësira të tjera ndihmëse.




















