22-vjeçar Kevin Vila, banues në zonën e Astirit është arrestuar në Tiranë pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe dyshohet se ka kryer vjedhje në dy banesa gjatë ditëve të fundit.

Vila u pikas nga policia teksa drejtonte motomjetin e tij. Atij iu bë shenjë që të ndalonte , por 22-vjeçari nuk iu bind dhe u largua me shpejtësi.

Pas një ndjekjeje policore, i riu u kap dhe u ndalua.

Pas verifikimit, policia zbuloi se Vila kishte thyer masën “Arrest në shtëpi”, e vendosur më parë për veprën penale të vjedhjes.

Po ashtu, policia dyshon se në datat 22 dhe 23 prill, i riu ka vjedhur shuma parash në dy banesa.

Policia po punon për të zbardhur raste të tjera të mundshme ku mund të jetë i përfshirë 22 vjeçari ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i Policisë

Në vijim të operacioneve të zhvilluara në bazë të kontrolleve dhe punës operative, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që kryejnë vepra penale kundër personit dhe pronës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Again”. Në kuadër të operacionit u ndalua shtetasi K. V., 22 vjeç, banues në Astir.

Gjatë operacionit, në zonën e Astirit, shërbimet e Policisë i bënë shenjë ndalimi motomjetit me të cilin lëvizte ky shtetas, por ai nuk iu bind urdhrit dhe vijoi lëvizjen me shpejtësi. Pas ndjekjes policore nga shërbimet e Komisariatit Nr. 6, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i tij. Nga verifikimet rezultoi se 22-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”.

Gjithashtu, dyshohet se ky shtetas, në datat 22.04.2026 dhe 23.04.2026, ka vjedhur shuma parash në 2 banesa. Punohet për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera ku mund të jetë përfshirë shtetasi K. V. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.