Një mjeke përballë Doktorit? Mereme Sela ishte një emër i panjohur në arenën e politikës derisa të gjithë “projektorët” u drejtuan drejt saj menjëherë pasi në selinë blu dorëzoi dokumentet për të kandiduar përballë Sali Berishës në garën e 23 majit për kreun e Partisë Demokratike. E vetmja kandidate që iu pranua dosja, kush është mjekja Sela që synon të sfidojë Berishën dhe a po përdoret nga kupola e selisë blu si një kandidate për të legjitimuar garën? Të gjitha këtyre pikëpyetjeve Sala iu përgjigjet për herë të parë në një intervistë ekskluzive në emisionin “Frontline” në Report Tv me gazetaren Marsela Karapanço.
Ndonëse ka zgjedhur të qëndrojë larg zhurmës mediatike, Sela thotë se është një figurë me kontribut 12-vjeçar në Partinë Demokratike në rrethin e Fushë-Krujës. 58 vjeçe me profesion epidemiologe, Sela udhëton çdo mëngjes nga Fushë-Kruja drejt QSUT-së në Tiranë, atje ku ushtron profesionin.
“Unë banoj në qytetin e Fushë-Krujës. Kam që nga ‘96 që bëj çdo ditë rrugën vajtje ardhje Fushë Krujë-Tiranë. Ngrihem në orën 04:30, lej punën kur mbaroj në 16:30 dhe iki po në Fushë-Krujë”, thotë Sela.
Tre janë shtyllat kryesore në të cilat do ta mbështesë programin e saj, nëse do të zyrtarizohet kandidatura: Shëndeti, Arsimi dhe Ekonomia.
“Duke parë për një shoqëri tre shtyllat kryesore shëndeti arsimi ekonomia, këto janë bazat kryesore të programit që unë kam përgatitur të cilin do ta paraqes pasi të më zyrtarizohet kandidatura. Pra këto janë arsyet bazë që mua më kanë shty që unë të jem kandidate për kryetare të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Unë kam që nga 2014 si anëtare e Partisë Demokratike”, thotë Sela në emisionin “Frontline” në Report Tv.
Por, cilat janë arsyet që e shtynë Selën të kandidonte për të marrë drejtimin e partisë? Ajo rendit disa arsye, ku më kryesorja është që Partisë Demokratike i duhet në krye një figurë e re.
“Kriterin e kontributit politik në politikë dhe në jetën shoqërore dhe komunitare e plotësoj më së miri. Unë nuk kam mbajtur poste të larta në drejtimin politik të Partisë Demokratike pasi i gjithë komuniteti i qarkut të Durrësit, i gjithë komuniteti i Krujës i Fushë Krujës me gjithë fshatrat përreth e dinë kontributin që kam unë për gjithë komunitetin në mjekësi. Postet drejtuese nuk më janë dhënë. Në primare 2025 isha një ndër kandidatet.
Duke qenë një frymë e re në drejtim, një frymë e re që ka një impakt pozitiv për të gjithë komunitetin e qarkut për qendrën spitalore, për Fushë-Krujën por absolutisht dhe sidomos mbas pandemisë COVID-19 që shërbimi shëndetësor i mjekëve ishte përtej kufirit dhe këto janë arsyet që më kanë shtyrë
Mendoj që duke qenë një femër, me vite karriere, por dhe duke ditur gjithçka çfarë çalon në këto tre shtylla kryesore që i duhen një shoqërie unë mendoj që jam personi më i duhur dhe meqenëse dhe përflitet duhet një figurë e re duhet një figurë e re pa probleme me askënd dhe me impakt pozitiv, këto janë arsye që më ka shty që të kandidoj unë”, thekson Sela.
Me Sali Berishën është njohur që në vitet e para të karrierës, por në betejën politike qëndrimin e ka të qartë. Sipas saj, Partisë Demokratike i duhet një imazh i ri dhe një figurë përbashkuese, ndërsa Berisha duhet të largohet.
Mereme Sela: Unë për doktorin kam respekt e kam koleg e kam pas profesor kam filluar punën në kardiologji me të, ndaj respektin më të madh për të. Unë nuk jam përballë dhe për interesat askujt. Unë jam vetëm për imazhin tim, si e mendoj unë si duhet të jetë Partia Demokratike dhe opozita për të krijuar mirëqenie për popullin. Unë jam konsumuar vetëm në shëndetin publik për popullin por nuk jam e konsumuar në jetën politike
Marsela Karapanço: Po çfarë do të thotë të jesh përballë Sali Berishës?
Mereme Sela: Për mua është kënaqësi kandidon një student me profesorin aq më tepër kur je afirmuar në të gjithë karrierën tënde profesionale. Për hir të moshës di dhe gjithë nevojat e komunitetit.
Mereme Sela: Mendoj thjesht duhet një figurë e re të ketë një imazh të ri.
Marsela Karapanço: Pra të iki zoti Berisha dhe të jetë një figurë e re përbashkuese.
Mereme Sela: Patjetër.
Sela kujdeset të hedhë poshtë akuzat që artikulohen se ajo po përdoret për një garë të paracaktuar.
“Mos të ketë askush iluzion që mua më përdor dikush apo më ka futur dikush. Këto t’i fshijnë nga memoria. Unë jam vetë me mendimet, idetë e mia, me vlerat e mia me vlerat që kërkon Partia Demokratike”, thekson Sela.
Intervistën e mbyll me një mesazh për të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike.
“Hapni sytë kë keni në ekranin e televizorit. Nëse u intereson shëndeti, arsimi, ekonomia, familja, ja ka më kanë, nëse u intereson bota, ja ku më kanë, nëse u intereson BE ja ku jam.”










