Nuk është se zhvillimet e pak orëve më parë prisnin ndonjë gjë më të madhe nga “SHQUP-i”. Vendin më të madh e kishte zënë ngërçi i Kosovës, katrahura amerikano-iraniane dhe nafta. Veçse, pasditen e të enjtes, kronikat mediatike patën ushqimin e mjaftueshëm nga opozita, fillimisht duke parë e komentuar përfaqësuesin e z. Salianji që nuk i mundësohej regjistrimi dhe me radhë Balliut dhe të tjerëve. Mbeti në garë një kandidate e panjohur, ndoshta edhe para shumicës së njerëzve të PD-së, ajo e znj. Mereme Sela, figurë e panjohur për të mëtuar postin e kryetarit përballë Berishës që nënkupton se procesi është thjesht rutinë! Me sarkazmën e tij fine, z. Spahiu, thoshte diçka cinike por gati të drejtë: Rama më shumë mund të ngacmohet se znj. Sela se Berisha. Tek e fundit me Berishën është komod jo vetëm një pjesë e shpurës së tij por edhe shumë njerëz të PS-së. Këta të fundit, në fund të merren me problemet e tyre ngacmojnë duke e mbajtur në fushëbetejë z. Berisha. Veçse është kohë tjetër. Të mendosh që Berisha dikur përballej ndaj Gramoz Pashkos, Eduart Selamit, Azem Hajdarit, Neritan Cekës, Genc Pollos e shumë të tjerëve.
Vëmendjen e njerëzve të politikës e ka tërhequr afati i shkurtër për regjistrimin e kandidaturave, kjo sepse nga publikimi i vendimit deri në dorëzimin e dokumenteve mbetej më pak se një ditë e plotë 24-orëshe. E pakuptueshme ka qenë për publikun, sepse miti i liderit të saj është (ishte) kaq i madh, pasi ai ka nxjerrë jashtë loje personalitete pafund nga rreshtat e kësaj partie që kanë mëtuar të ndryshonin imazhin e saj dhe jo kandidatët që mëtojnë ta sfidojnë.
Grotesku i të gjithës është se: Sali Berisha që e ka mbajtur i vetëm timonin e PD-së dhe e ka përshkruar vetë si protagonist të gjithë historinë e saj, qoftë edhe kur e mori përkohësisht mëkëmbësi i tij Lulzim Basha, tashmë do të përballet me një kandidate gati të paqenë. Kjo tashmë kthehet në tragjedi për këtë forcë, ku shqiptarët ende i besojnë inercisë anemike të saj. Edhe sikur të bëheshin bashkë të tre kandidatët që mëtonin vendin e kryetarit, nuk do t’ia dilnin dot Berishës tek PD-ja. Do gjendesh mekanizmi që Berisha as të mos gërvishtej (siç tha atëherë z. Paloka, zyrtari i lartë i PD-së, kur foli për manipulimin e zgjedhjeve për Bashën, kur ai duhej të fitonte medoemos, si investim i Berishës).










