Seanca e kësaj të hënë për pushimin e çështjes në ngarkim të gjyqtares Irena Gjoka është shtyrë. Shkak është bërë kërkesa e Partisë Demokratike për përjashtimin e gjyqtares Marinela Osmani nga çështja. Kallëzuesit kanë kërkuar gjithashtu që dosja të kthehet për hetime në SPAK, duke argumentuar se vetë Gjoka duhet të merret si e pandehur.
Gjyqtarja Gjoka u kallëzua nga Partia Demokratike me pretendimin se ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim të dhënë ndaj saj nga një gjykatë në Janinë. Ndërkohë, sipas dëshmisë së gjyqtares, e cila rezultonte të ishte dënuar në vitin 2005 nga një gjykatë e Janinës, është e bindur se nuk ka bërë asnjë shkelje kur nuk e ka deklaruar një fakt të tillë në formularin e dekriminalizimit.
Në dëshminë e saj të dhënë në SPAK, pas kallëzimit të PD për falsifikim të vulave dhe formularëve, Gjoka ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për vendimin që nuk u ekzekutua kurrë nga autoritetet greke, as për ndonjë proces hetimor penal të zhvilluar ndaj saj në Greqi.
“Nuk kam patur asnjë herë dijeni as për procesin hetimor penal të zhvilluar ndaj meje, as për procesin gjyqësor dhe për asnjë proces tjetër të zhvilluar nga autoritetet greke të drejtësisë…Në muajin Dhjetor të vitit 2002, jam paraqitur në PKK Kakavijë, për të udhëtuar drejt shtetit Grek dhe pas një debati që kam bërë me punonjësit e policisë kufitare, për shkak të mënyrës së sjelljes së tyre arbitrare, më është refuzuar hyrja për në shtetin Grek, duke më vendosur kryq në vizën me të cilën isha pajisur pranë ambasadës greke në Tiranë”, thotë Gjoka në dëshmi.
Por, çfarë pretendon SPAK?
Sipas SPAK gjatë hetimeve janë administruar materiale të shumta, përfshirë kallëzime shtesë, dokumente nga institucione vendase dhe të huaja, si dhe janë kryer verifikime në Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe autoritetet greke, përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
SPAK argumenton se nga dokumentacioni i ardhur nga Greqia rezulton se ndaj Irena Gjokës ekziston një vendim i vitit 2005 i Gjykatës së Shkallës së Parë në Janinë, ku ajo është shpallur fajtore për shkelje që lidhen me hyrjen dhe qëndrimin e paligjshëm në territorin grek, duke u dënuar me burgim dhe gjobë, kjo e fundit e konvertuar sipas vendimit. Si pasojë, ndaj saj janë marrë masa administrative, përfshirë dëbimin dhe ndalimin e hyrjes në zonën Schengen, të cilat janë kundërshtuar prej saj në gjykatat administrative greke. Vendimi ishte dhënë në mungesë të saj dhe pa njoftim të rregullt, ndërsa më pas autoritetet greke e kanë arkivuar për shkak të parashkrimit.










