Në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News, Alesia Balliu deklaroi se protesta e opozitës prodhoi vetëm zhurmë dhe nuk ofroi asnjë ide konkrete.
Balliu tha se pjesëmarrja në tubim ishte shumë e ulët krahasuar me protestat e mëparshme të PD-së. Balliu akuzoi gjithashtu Flamur Noka për gjuhë linçuese dhe etiketime, duke shtuar se PD duhet të jetë në krah të ndërkombëtarëve dhe SPAK-ut.
“Protesta prodhoi zhurmë, nuk kam informacion kush i paguan ata që hedhin molotovë. Protesta nuk prodhoi asnjë ide konkrete, atë që qytetarët duan të dëgjojnë për ekonominë dhe shëndetësinë. Dje nuk kanë qenë as 300 apo 400 vetë në protestë, ne kemi qenë me Lul Bashën në protestë kur ishte shi dhe kemi qenë në protesta masive. Unë kam qenë tek selia e PD dhe nuk mund të them se ka arsenal armësh. Është denigrim dhe i bie të jemi në falimentim të kësaj force politike që paguan dhe qytetarët nuk shkojnë nga bindja. Më mirë të shpallë falimentin politik. Respektoj statutin dhe e them sërish që luftën e bëj për demokracinë dhe Shqipërinë, unë heq dorë nga kandidimi im në momentin që Berisha largohet. PD duhet të jetë pro ndërkombëtarëve dhe SPAK-ut, jo se e ka PD problemin, por e ka vetëm Berisha.
Flamur Noka përcjell frymën e urrejtjes duke vënë etiketime. Është Berisha që vendos dhe firmos, por Noka përcjell gjuhën e linçimit. Nuk kursen as femrat dhe gratë e asaj partie, reagimi im ishte personal falë atij etiketimi të bërë.”










