Gazetari Blendi Fevziu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, në MCN TV, u shpreh se është totalisht kundër mbajtjes së të pandehurve në kafazin e qelqtë, siç po ndodh me ish-presidentin Ilir Meta.

Fevziu u shpreh se seancat duhen dhënë direkt.

“E para jam totalisht kundër mbajtjes në kafaz. Kjo është e patolerueshme. E para Ilir Meta është ish-president, ish-kryetar Kuvendi, ish-kryeministër, ish-zv.kryeministër, ish-ministër i jashtëm dhe ish-ministër. Është njeri që ka mbajtur disa portofole. Ka një akuzë që duhet t’i provohet nga Prokuroria dhe t’i vendoset ga Gjykata. Është e patolerueshme të sillesh në këtë mënyrë.

Besoj ju e keni ndjekur gjyqin kur ish-presidenti Sarkozi shkoi për në burg, me bashkëshorten për krahu.

Ky kafazi është i patolerueshëm. Njerëzit kanë personalitetin e tyre. As janë kriminelë të rrezikshëm, as janë njerëz që përbëjnë kërcënim për sigurinë publike.

E dyta për transmetimin live duhet të bëhet, por duhet parë ligji që e bëjnë njerëzit.

E treta ndëshkimi i paraprak, pra me burg, përveç rasteve kur përbëjnë kërcënim real për provat dhe procesin, nuk ke pse i mban në burg, siç u gjykua Saimir Tahiri, që më fund u deklarua fajtor dhe shkoi nga gjykata drejt në burg për të kryer dënimin e tij.

Nuk ka sens kjo”- u shpreh Fevziu.