Nga Arion Sulo
Sulmet e kreut të PD, Berisha ndaj ambasadorit të BE në Tiranë, Gonzato si lobist i kryeministrit Rama, që erdhën pasi përfaqësuesi europian i quajti spekulime qëndrimet për bllokimin e integrimit nuk janë ndonjë gjë e re në qasjen 35 vjeçare të Berishës karshi ambasadorëve. E vërteta është se nga këto sulme Berisha dhe PD nuk fitojnë politikisht, madje humbasin sepse perceptimi i përgjithshëm, i pashoqëruar me informacioni është se kemi të bëjmë me sulmin e radhës për ndërkombëtarët.
Qëndrimi ndaj Gonzatos e vuri Berishën përballë reagimit të Bashkimit Europian, i cili natyrisht dënoi sulmet dhe mbrojti përfaqësuesin e tij, si ambasador profesionist dhe me integritet. E parë përciptazi duket se sulmet e Berishës vetëm sa shtojnë bilancin negativ në marrëdhëniet me Unionin, dhe PD vetëm humbet nga një sjellje e tillë. Por a është kjo e vërtetë, a humbet PD në planin afatgjatë? A do të fitonte ajo nëse nuk do ta sulmonte Gonzaton? Dhe kryesorja si është e vërteta, kush ka të drejtë Berisha apo Gonzato për integrimin?
Së pari Berisha e ka përplasjen me Gonzaton dhe jo me Komisionin Europian, apo aq më pak me Këshillin e BE që është tryeza vendimmarrëse më e fuqishme në Bruksel. Ai e di shumë mirë vlerën e një ambasadori të BE në ditët e sotme që po kalon Unioni.
Së dyti kosto e Berishës relativizohet po të kemi parasysh shndërrimin e ambasadorëve të huaj vitet e fundit në Tiranë dhe atashimin e tyre me Ramën. Në kulmin e skandaleve të qeverisë ambasadorët kanë heshtur dhe kanë braktisur standardet që aplikohen në vendet e tyre dhe për të cilat shqiptarët e duan BE.
Emra si Romana Vlahutin nuk kanë nevojë për histori. Mjaft të kujtojmë kanabizimin të vendit në 2016, kur ish ambasadorja e BE bashkë me ish ambasadorin amerikan Donald Lu mbyllën sytë dhe duartrokitën suksesin e qeverisë që kishte “zhdukur” kanabisin në 99, 99 % të sipërfaqes së vendit, një akt që solli pasoja të mëdha negative më pas. Pa harruar “Mc Gonigal”, ku lobimi i qeverisë kundër Opozitës në zyrat qendrore të FBI është sot e kësaj dite një vepër e provuar dhe dënuar në SHBA.
Së treti kryeministri Rama me anë të koncesioneve në dëm të interesave të vendit, që i ka bërë disa vendeve të BE. si Italia me kampet e refugjatëve në Gjadër, apo parqet foto-voltaikë francezë ka arritur që të sigurojë një mbështetje europiane, e cila është më e fuqishme sesa funksionet diplomatike të ambasadorëve dhe zyrtarëve të Komisionit Europian në Tiranë. Modus- operandi në këtë rast është për lobimi i tyre për qeverinë.
Së katërti dhe më kryesorja, rasti i sulmit të fundit të Berishës ndaj Gonzatos lidhet me diskutimet në COELA, grupi i përbashkët i punës së shteteve anëtare të BE me KE, për raportin IBAR (Raporti i Vlerësimit të Pikave të Ndërmjetme). Pa miratimin e raportit, që ka të bëjë me drejtësinë Gjyqësorin Spak dhe luftën kundër krimit e korrupsionit ecja përpara në negociata bëhet e vështirë. Raporti është dorëzuar në COELA më 26 shkurt dhe është diskutuar disa herë pa u miratuar. Nuk ka afat formal për miratimin e IBAR, por vonesa tregon se disa vende anëtare kanë rezerva, mes tyre edhe Gjermania.
Shtyrja në kohë ka të bëjë me votimin e PS për imunitetin e Ballukut. Në ditën e rrëzimit të SPAK në Kuvend, Gjermania e kushtëzoi vendimmarrjen e saj në bisedimet BE- Shqipëri me ndjekjen penale të korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Kjo ishte përplasja e parë e madhe e Ramës me BE. Kjo është pengesa që ka shtyrë miratimin e Raportit të IBAR. Problemi sesi Berisha e quan bllokim një gjë që nuk është miratuar është ekzagjerim politik berishist dhe nuancë gjuhësore, por nuk është spekulim.
Duke e quajtur të tillë Gonzato legjitimoi kryeministrin për çfarë po ndodh në Bruksel, ndërkohë që duhet të qartësonte realitetin pa e përfshirë opozitën. Kjo do ti jepte Gonzatos rolin e arbitrit, për të cilët shqiptarët e besojnë BE. Ndërsa rolin e të mbrojtësit të qeverisë edhe kur ajo kapet duke vjedhur e duke penguar SPAK, në kurriz të qytetarëve e kanë luajtur disa paraardhës e homologë të tij, por s’ është se u ka ecur.
*Ky shkrim është pjesë e projektit ‘PRODEMOCRATIA, një partneritet mes INSTITUTIT PASHKO dhe media MAPO, për të analizuar zhvillimet e demokracisë shqiptare.










