Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, ishte në aktivitetin për nënshkrimin e partneritetit të ri ndërmjet shtetit, sistemit bankar dhe sipërmarrjes shqiptare për Programin Kombëtar të Financimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.

Ai ka bërë me dije se kredia për sektorin privat ka shënuar rritje gjatë viteve të fundit, ndërsa sipas tij kredia bankare përbën fluksin më të madh në ekonomi. Sejko i ka bërë thirrje industrisë bankare për një vëmendje të shtuar në financimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe sidomos bujqësisë.

“Portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi vlerën e 720 mld lekëve. Kredia për sektorin privat ka shënuar rritje, 15% përgjatë viteve të fundit. Kredia bankare përbën fluksin më të madh në ekonomi. Këto zhvillime flasin për shërbim të rritur sasior të sektorit bankar. Sektori bankar ofron instrumente moderne pagese.

Një akses më i larë në kredi të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme do t’i hapte rrugë përmirësimit të mëtejshëm të mirëqenies së shoqërisë. Qeveria ka miratuar një skemë të garancisë sovrane. Progresi i bërë gjatë këtyre dy viteve të fundit është inkurajuese. Sektori bankar duhet të ketë më shumë vëmendje ndaj sektori të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe sektorit të bujqësisë. Inkurajoj dhe bizneset e vogla dhe të mesme që t’i drejtohen bankave për konsulencë.”, tha ai.