Mes paralajmërimeve të studentëve shqiptarë për mbajtjen e protestëstës së tyre të dytë në 18 maj lidhur me kërkesën për mbrojtjen dhe mundësinë e dhënies së provimeve shtetërore në gjuhën shqipe, kryeministri Hristijan Mickoski bën një hap prapa dhe lutet për durim.

Ai u shpreh se qeveria është duke punuar për një zgjidhje konkrete dhe këmbënguli se së shpejti pritet të prezantohet një propozim në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe standardet ndërkombëtare.

“Bëhet fjalë për një çështje mbi të cilën po punojmë si qeveri. Besoj se shumë shpejt do të dalim me një propozim-zgjidhje, i cili do të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe standardet ndërkombëtare. Prandaj, u bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve në këtë proces që të bëjnë durim”, tha ai.

Mickoski shtoi se sipas tij, ekzistojnë forca politike që synojnë të nxisin tensione dhe protesta, në vend që të kontribuojnë në reforma dhe progres institucional. Më herët, kreu i lëvizjes studentore, Mevlan Ademi, përmes një postimi në rrjetet sociale, kishte bërë thirrje për mobilizim masiv me mesazhin: “Si të parët tanë për këtë amanet!”.

Një muaj më parë, studentët shqiptarë organizuan një protestë para Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë, ku insistuan për dhënien e provimit të jurisprudencës dhe provimeve të tjera shtetërore në gjuhën shqipe- një e drejtë që, sipas tyre, garantohet edhe me Kushtetutë. Deri tani, institucionet nuk kanë marrë një vendim konkret lidhur me realizimin e kësaj kërkese.