Mbledhja e fundit ka degraduar me tone ofenduese mes anëtarit të KLP, Sokol Stojani, dhe kryetares Mirela Bogdani. Katër anëtarë, ku bën pjesë Sokol Stojani, votuan moshapjen e vakancave, sepse, siç mëson TCH nga kjo palë e votuesve, ata synojnë t’i mbajnë bosh vendet për prokurorë që janë emëruar inspektorë në ILD dhe për prokurorët e SPAK që ju përfundon mandati së shpejti. ILD u shpreh jo zyrtarisht për TCH se pesë prokurorët që janë inspektorë pranë këtij institucioni kanë marrë zgjatje mandati në muajin shkurt.
Ndërkohë, në këtë votim rezulton se pesë anëtarë të tjerë të KLP janë ndarë në dy grupe, duke votuar hapjen e vakancave me kuota të caktuara, votim që ka shkaktuar përplasje.
Edhe në një mbledhje të mëparshme, anëtarët u përplasën nëse duhej zgjatur apo jo transferimi me pëlqim i katër prokurorëve që ju ka mbaruar afati. Pesë anëtarë votuan për vazhdimin në detyrë të prokurorëve të caktuar përkohësisht, ndërsa shumica prej gjashtë anëtarësh nuk gjeti vota për një qëndrim të unifikuar. Të kontaktuar nga TCH, shumica pretendon se nuk ka vendim, ndërsa pala tjetër pretendon të kundërtën. Ndërsa në faqen zyrtare të internetit të KLP është publikuar ky vendim, në të cilin, në mënyrë të paprecedentë, rezulton se njëri nga anëtarët që ka qenë prezent nuk ka firmosur.
Pavarësisht përçarjes për Tiranën, KLP ka shpallur më herët qëndrim për mbarimin e transferimit të disa prokurorëve në Elbasan. Qëndrimi i katër prokurorëve nga rrethet pa vendim këshilli në Tiranë pritet të sjellë reagim të avokatëve që do të kundërshtojnë si të pavlefshme veprimet hetimore.
Kriza e KLP ka një vit që ka ndarë në mënyrë të paprecedentë anëtarët e KLP, të cilët sakaq gjenden në prag të çeljes së garës për Prokurorin e Përgjithshëm, pasi aktualit i mbaron mandati në dhjetor 2026. Gara, sipas ligjit, duhet hapur në shtator, por përderisa ligji i jep mundësinë edhe personave jashtë sistemit që të konkurrojnë, procedurat nga KLP duhen hapur brenda majit, në mënyrë që institucionet të kenë kohë të mjaftueshme për verifikimet.








