Fatos Lubonja ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama e përmendi me emër gjatë një daljeje publike lidhur me protestat kundër projektit në Zvërnec.
Lubonja tha se sulmi ndaj tij është pjesë e mënyrës së komunikimit të Ramës, i cili sipas tij, sulmon këdo që shpreh qëndrime kritike ndaj qeverisë.
“Është në vazhdën e mënyrës së tij të komunikimit, që aty ku nuk i pëlqen diçka, aty gjen armikun dhe e sulmon. E pashë pjesën ku foli për mua, por nuk dua të flas për veten, dua të flas për shqetësimin që kemi si shqiptarë”, u shpreh Lubonja.
Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit se ai ka një “ankth” me mafian që pas ndarjes me të, analisti tha se nuk ka pasur kurrë një marrëdhënie personale apo politike të tillë me Ramën.
“Me Edi Ramën më kanë bashkuar dikur disa ide si intelektualë, ide për politikën, kulturën dhe vizionin e Shqipërisë. Ai që është ndarë nga ato ide nuk jam unë, por Edi Rama, i cili ka përqafuar atë që unë e quaj mafia e ndërtimit dhe e pushtetit”, deklaroi Lubonja.










