Në studion e emisionit “3D nga Alban Dudushi” në RTSH, gazetari Flogert Muça deklaroi se protesta e fundit po shfrytëzohet politikisht nga aktorë të ndryshëm të skenës politike shqiptare, të cilët sipas tij po përpiqen të përfitojnë nga pakënaqësitë e qytetarëve.

Sipas Muçës, në protestë janë bashkuar grupe të ndryshme interesi, ndërsa figura si Arlind Qori, Adriatik Lapaj, Agron Shehaj dhe Sali Berisha po përpiqen të tërheqin mbështetje politike nga kjo lëvizje qytetare.

Ai shtoi se protestuesit përfaqësojnë kategori të ndryshme qytetarësh, duke përfshirë individë me shqetësime ekonomike, sociale dhe politike, të cilët sipas tij kanë votuar kundër forcave tradicionale politike dhe sot po gjejnë një kauzë të përbashkët në shesh.

“Këta që janë aty, unë kam përshtypjen se po kapitalizohen politikisht. Të mllefosurit i do Arlindi, ata që shohin shpresë i do Adriatiku, ato të tjerët që janë një grup sipërmarrës të rinj i do Agroni, një pjesë tjetër i ka çuar doktori që janë zënë sot me ata të Arlindit. Disa të tjerë kanë hallin e ilaçeve. Të gjitha këto grupi interesi janë vota që Edi Rama dje i ka marrë kundër dhe doktori i ka marrë kundër dhe janë sot në shesh. Ata sot kanë pretekstin më të bukur për tu bashkuar dhe mund të thënë na i kërkon rinia, na i kërkojnë qytetarët dhe ti lënë partitë”, u shpreh Muça.