Kriza politike në Kosovë vijon të thellohet. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dalë edhe sot para godinës së Qeverisë, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit. Prej gjashtë distësh tashmë deputetët e PDK mblidhen para godinës, ndërsa sot protesta e tyre është mbështetur edhe nga deputetë të Aleancës.

Ata kërkojnë që të thirret sa më shpejt vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit dhe të zhbllokohet procesi i krijimit të institucioneve të reja, duke i bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të rikthehet në Kuvend dhe të kontribuojë në zhbllokimin e procesit.

Ngërçi politik lidhet me dështimin për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Deputetët e legjislaturës së re kanë dhënë betimin, por në pikën e rendit të ditës për propozimin e kryeparlamentarit, Albin Kurti ka refuzuar të paraqesë një kandidat, duke e lidhur konstituimin e Kuvendit me arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje ndërmjet partive politike. Ai ka paralajmëruar se vazhdimi i seancës pa një marrëveshje mund ta tensionojë edhe më tej situatën dhe të rrisë rrezikun për përplasje fizike brenda Kuvendit.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje dhe aleatët e saj nga komunitetet kanë numrat e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Për zgjedhjen e presidentit, megjithatë, kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në dy raundet e para. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues 60-ditor, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.