Policia e Tiranës po kërkon të marrë në pyetje kompozitorin Adrian Hila, në lidhje me publikimin dhe shpërndarjen në internet të disa videove intime.
Hila është kontaktuar mbrëmjen e së mërkurës nga një hetues i njësisë “C” të Policisë së Tiranës dhe është ftuar të paraqitet në polici për të dhënë dëshmi lidhur me rrethanat e ngjarjes.
Sipas të dhënave të bëra publike, kompozitori ka deklaruar se nuk mund të paraqitej në atë moment, duke iu referuar gjendjes së tij psikologjike pas publikimit të videove. Ai ka pretenduar gjithashtu se kamera e tij është hakeruar nga persona ende të paidentifikuar.
Pas këtij komunikimi, policia ka dërguar një patrullë në banesën e Hilës në Tiranë, në kuadër të përpjekjes për ta shoqëruar në ambientet e policisë. Efektivët nuk e kanë gjetur në banesë.
Ndërkohë, sipas raportimeve, po shqyrtohet edhe mundësia e shoqërimit të tij në polici në mënyrë të detyruar, nëse ai nuk paraqitet vullnetarisht për t’u marrë në pyetje.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e sigurimit, publikimit dhe shpërndarjes së materialeve intime. Në kuadër të procedimit po verifikohen disa pista dhe katër vepra penale, ndërsa Adrian Hila është një prej personave, roli i të cilëve po verifikohet nga autoritetet.










