Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, pohon se vendet kandidate që përmbushin kriteret në fusha të caktuara mund të përfitojnë nga një integrim i pjesshëm në Bashkimin Europian edhe përpara anëtarësimit të plotë.
Në një intervistë për Deutsche Welle, Kos tha se ideja e integrimit gradual po merr gjithnjë e më shumë rëndësi, në një kohë kur situata gjeopolitike kërkon përshpejtimin e afrimit të vendeve kandidate me BE-në. Sipas saj, procesi i anëtarësimit i bazuar në meritë kërkon kohë, por kjo nuk do të thotë se vendet kandidate duhet të presin deri në anëtarësimin e plotë për të përfituar nga mundësi të caktuara që ofron Bashkimi Europian.
‘Nëse duam të arrijmë qëllimin tonë, dhe qëllimi ynë është një Europë e sigurtë dhe e qëndrueshme, e bazuar në vlerat evropiane, atëherë do të përpiqemi që përmes të ashtuquajturit rishikim para-anëtarësimi, rezultatet e të cilit do të publikohen më 6 tetor dhe do të diskutohen pjesërisht në këtë samit, të identifikojmë së bashku me shtetet anëtare fushat në të cilat, vendeve kandidate që kanë nevojë për më shumë kohë, të mund t’u ofrojmë më shumë Europë edhe para anëtarësimit të plotë. Ky nuk është zëvendësim për anëtarësimin. Është thjesht një mënyrë që, për shkak se procesi i bazuar në meritë kërkon kohë, një vend kandidat që plotëson kriteret për integrim në fusha të caktuara të mund të përfitojë nga një integrim i pjesshëm edhe para se të bëhet anëtar i plotë’, tha komisionerja Kos.










