Protesta e studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë hyn në ditën e katërt, ndërsa një prej të rinjve që ka dalë në rrugë e ka të vështirë të artikulojë kërkesat e tij. Pakënaqësitë janë të shumta, por kur pyetet se çfarë kërkon konkretisht, përgjigjja e tij tregon edhe paqartësinë që shoqëron një pjesë të këtij reagimi.
“Veç rrugës kena për të shku. S’e dimë ku do përfundojmë, po s’e di”, shprehet gjimnazisti, kur pyetet se ku synon të shkojë protesta.
I pyetur për kërkesat e tij, ai thotë se janë të shumta dhe se nuk mund t’i rendisë të gjitha.
“Ka shumë kërkesa tani, me i marrë, nuk ndalen mo”, shprehet ai.
Por momenti më domethënës vjen kur pyetet nëse ka kaq shumë pakënaqësi ndaj qeverisë.
“Aq shumë kam sa s’më vjen asnjona n’men”, përgjigjet i riu.
Fjalët e tij përmbledhin një kontrast që shfaqet në ditën e katërt të protestave: një gjimnazist që ndjen pakënaqësi, zgjedh të dalë në rrugë, por nuk arrin të përcaktojë qartë se ku do ta çojë protesta dhe cilat janë kërkesat që e kanë nxitur të marrë pjesë.
Kjo nuk e bën pakënaqësinë e tij më pak të rëndësishme, por ngre një pyetje mbi drejtimin e këtij reagimi. Çfarë kërkojnë konkretisht të rinjtë që po protestojnë dhe si mund të shndërrohet zemërimi i tyre në kërkesa të qarta?
Në ditën e katërt, protesta vijon me pjesëmarrjen e studentëve dhe gjimnazistëve, ndërsa zëri i të rinjve mbetet në qendër të zhvillimeve në kryeqytet.










