Rreth 114 shërbime për biznesin nga Qendra Kombëtare e Biznesit do të kalojnë online. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se gjatë vitit 2019 janë 152 mijë aplikime për regjistrim dhe 11 mijë aplikime për licencim nga ana e biznesit.

“Në total, me ofrimin online të këtyre shërbimeve kursehen 3159 ditë pune. 248 dokumente që do të reduktohen përbëjnë një hap të madh përpara edhe për adresimin e kërkesave të biznesit”, deklaroi Denaj. Ministrja informoi se në të gjitha institucionet në varësi të MFE-së po shikohet mundësia për eliminimin e sa më shumë dokumenteve për të shkuar në ofrimin e shërbimeve jo më me dokumentet e nevojshëm por të domosdoshëm.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, gjatë 2020 programon ofrimin e 510 shërbimeve online ose 94 % e të gjitha shërbimeve. Nga këto 188 shërbime bëhen efektive më 1 janar, 270 shërbime bëhen efektive më 30 qershor dhe 26 shërbime bëhen efektive në dhjetor 2020. Konkretisht nga 1 janari 2020 do të ofrohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, 11 shërbime, nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, 8 shërbime, nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, 31 shërbime, nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, 24 shërbime dhe nga Qendra Kombëtare e Biznesit , 114 shërbime.

Vetëm 33 shërbime, ose 6 % e totalit që ofrohen nga MFE, do të ofrohen pranë sporteleve të institucioneve. Punonjësit e këtyre institucioneve do të orientojnë dhe asistojnë çdo qytetar apo biznes, në lidhje me këtë transformim të rëndësishëm, i cili synon lehtësimin e praktikave dhe shkurtimin e radhëve të pritjes.

Në faqet e internetit të institucioneve, si dhe në rrjetet sociale apo në të gjitha zyrat në terren, do të ofrohet informacioni i nevojshëm në lidhje me këto shërbime online.