Qendra Kombëtare e Biznesit nga 1 janari ofron 114 shërbime online për biznesin, ndërsa për 52 të tjera nis aplikimi nga 30 qershori.

Ofrimi i këtyre shërbimeve online është mirëpritur nga biznesi. Përfaqësues të disave prej tyre ne i takuam sot pranë sporteleve të QKB-së. “Ofrimi i shërbimeve online do na kursejë kohë”, shprehen ata.

Nëse më përpara koha e pritjes për çdo qytetar për të marrë një shërbim pranë QKB-së ishte minimumi 30 minuta nga marrja e kuponit, deri tek ardhja në sportel, sot ata mund të marrin 114 shërbime online, pa u paraqitur në sportelet e kësaj qendre.

“Kohët e fundit jemi informuar nga media se po ofrohen mbi 400 shërbime online për të gjithë qytetarët e interesuar për ushtrim biznesi, për profesione të ndryshme, apo për të gjitha. Edhe unë jam sot këtu, pranë këtij sporteli dhe gjej fjalët më të mira për të thënë për të gjithë punonjësit. Dua të them se ky shërbim do të na lehtësojë shumë të gjithë aktivitetin tone dhe në radhë të parë do të na kursejë kohën që është shumë e çmuar për të gjithë”, shprehet një qytetar pranë sporteleve të shërbimit të QKB-së.

I pyetur se pse ai nuk kishte aplikuar online, shprehet se duke qenë se ishte hera e parë do donte të merrte të gjithë asistencën fillestare dhe pas kësaj asistence çdo lloj veprimi do ta kryente online.

“Fillimisht ishte e domosdoshme të asistoheshim dhe shumë shpejt edhe ne do të marrim njohuritë e duhura dhe do të marrim online këtë shërbim”, shprehet qytetari.

Një tjetër përfaqësues biznesi shprehet se sigurisht do të jetë një lehtësi për ta, sepse nuk do të ishin më të detyruar të vinin gjithmonë pranë sporteleve të QKB-së.

“Do ketë më pak procedura, më pak orë të harxhuara për të ardhur deri te sporteli. Besoj se me ndihmën fillestare në sportel, me ndonjë përmirësim të sistemit dhe shtimit të shpejtësisë të ofrimit të shërbimit online, kjo nismë do të jetë e suksesshme”, shprehet ai.

Një çështje që QKB pritet t’i japë zgjidhje në fazën e dytë të ofrimit të shërbimit online në qershor të këtij viti, është edhe ofrimi i shërbimit online për të huajt që kryejnë aktivitet në Shqipëri.

Sipas specialistes së QKB-së pranë sporteleve të asistencës problemi qëndron tek dokumenti i tyre i identitetit, pasi nevojitet karta e identitetit.

“Për këtë qytetari duhet të regjistrojë të dhënat pranë AKSHI-t dhe më pas mund të marrë online shërbimet pranë QKB-së. Besoj se kjo do të zgjidhet përfundimisht në fazën e dytë të ofrimit online të më shumë shërbimeve, pas 30 qershorit”, deklaroi përfaqësuesja e QKB-së.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Biznesit, Pranvera Fagu (Behushi) në një intervistë për ATSH-në, bëri të ditur se tashmë shërbimet funksionale të QKB-së, lidhur me regjistrimin dhe licencimin e biznesit, do të ofrohen vetëm në mënyrë elektronike, nëpërmjet sportelit elektronik në portalin e-albania.

“Ne i shkurtojmë kohë biznesit dhe nëse do ta masnim këtë kohë vetëm për regjistrin e biznesit kemi 3 179 ditë pune që kursehen. Njëkohësisht është edhe lehtësi, pasi nga ipad apo telefoni nuk e pengon asgjë për të aksesuar në shërbimet e regjistrit kombëtar apo atë të licencave”, deklaroi Fagu.

Fagu shprehet se sportelet e QKB-së do të jenë të hapura, por ka ndryshuar fokusi. “Nëse deri dje aplikimi kryhej nga sportelistët, sot sportelisti ulet në krah të aplikantit. Nuk ka më që sportelisti është në një krah dhe aplikanti në krahun tjetër, por tani ulen në një krah dhe sportelisti suporton aplikantin që ai të jetë i suksesshëm në aplikimin e tij online”, shpjegon Fagu.

Pranë QKB-së është edhe një sportel i dedikur për vulën elektronike, pasi është një ndër shërbimet më të kërkuara nga biznesi.

Nëpërmjet sportelit elektronik biznesi nga 1 janari merr shërbimet e QKB-së, si aplikim për regjistrim fillestar dhe ndryshim të të dhënave të regjistrimit të personit fizik; shoqërive kolektive, komandite, me përgjegjësi të kufizuar dhe të thjeshta; shoqërive aksionare (sha); të degëve ose zyrave të përfaqësimit të shoqërive të huaja; aplikim për depozitimin e pasqyrave financiare dhe raportit të auditimit; aplikim për regjistrim të vendimeve/akte të gjykatës, zyrës përmbarimore ose autoriteteve të tjera publike; kërkesë për lëshim ekstrakti të thjeshtë/historik; certifikatë regjistrimi; aplikim për pajisje me leje/licencë; lëshim titulli; revokim vullnetar.

Ndërkohë në sportelet e QKB-së, bizneset do të asistohen në kryerjen e aplikimeve vetëm online, nëpërmjet portalit e-albania.