Kur kanë mbetur edhe 14 kohë për të formuar qeverinë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar sot ofertën e fundit të Vetëvendosjes.
Kryesia e LDK ka vendosur që të mos pranojë ofertën e VV, ndërsa kryetari i saj Isa Mustafa ka thënë se kjo është java vendimtare për koalicion, ose në të kundërt duhet të deklarohet se nuk janë kushtet për një qeveri LDK-VV.
Deklarata e LDK:
Në mbledhjen e mbajtur sot, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës trajtoi situatën politike pas mandatimit nga ana e Presidentit të kandidatit për Kryeministër.
LDK-ja vlerëson që vendi ndodhet në një situatë të rëndësishme politike, meqë tashmë implementimi i vullnetit politik të qytetarëve, shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, në bazë të dispozitave kushtetuese, është i afatizuar.
LDK-ja, edhe një herë, shpreh vullnetin për marrëveshje politike të balancuar me Lëvizjen Vetëvendosje, që do të reflektonte në tërësi rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit.
Kryesia e LDK-së konsideron që marrëveshja e propozuar nga Ekipi negociues i LDK-së, e mbështetur në orientimet e Këshillit të Përgjithshëm, e reflekton në tërësi rezultatin e zgjedhjeve, garanton përfaqësim dhe përgjegjësi të balancuar, që janë të domosdoshme për funksionimin e institucioneve dhe për demokracinë në vend.
LDK-ja fton Lëvizjen Vetëvendosje, si parti e parë dhe që ka përgjegjësinë për të formuar institucionet e reja, që të veprojë shpejt dhe me vendosmëri për të arritur marrëveshjen me LDK-në./I.M-Dritare.net