Revolucioni Digjital në Shërbimet Publike i cili nisi më 1 Janar 2020 lehtëson 48 shërbime të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

Zevendësministrja e Brendshme, Romina Kuko thotë se 6 prej shërbimeve online, ofrohen nga Drejtoria e Përgjithshme të Gjendjes Civile prej të cilave rendit: certifikatë Personale, certifikatë Familjare, certifikatë nga Akti i Lindjes, certifikatë nga akti i Martesës, certifikatë nga Akti i Vdekjes (në rastin e një familjari), kërkesë për verifikim dhe ndryshim të Qendrës së Votimit

Gjithashtu, Kuko informon se ka lehtësim procedurash për “kërkesën për fitim shtetësie, kërkesë për korrigjim/fshirje të dhënash personale në rast konstatimi të pasaktësive në sistem, kërkesë për leje qëndrimi, kërkesë për lënie shtetësie, kërkesë për rifitim shtetësie si dhe kërkesë për rinovim të lejes së qëndrimit”.

Zevendësministrja ka thënë se shërbimet online ofrohen brenda pak minutave, duke shmangur radhët e pritjes.

“Nëse më parë do të duhej të paraqiteshit në një sportel, me një ‘mal’ me dokumente për të plotësuar një aplikim dhe më pas të riparaqiteshit sërish në sportel për të mësuar rreth aplikimit tuaj – duke mos patur një informacion të ndërmjetëm rreth ecurisë – tani kryhet vetëm në pak minuta online në kompjuter apo celular, duke klikuar vetë nga kudoqoftë (brenda ose jashtë vendit) ose me një ndihmë të parë në sportel, përmes https://e-albania.al mund të kryhen procedurat e nevojshme, që deri dje kërkonin kohë e mund zyrë më zyrë. Lehtësim jo vetëm në modalitetin e aplikimit online, por edhe në barrën e dokumentacionit shoqërues, ku pjesën më të madhe të dokumenteve që nevojiten, e sigurojnë vetë zyrat e shtetit. Pasi ju keni aplikuar, pajiseni me një numër serial nëpërmjet së cilit mund të gjurmoni ecurinë e aplikimit, si dhe pas përfundimit të përpunimit të materialeve në zyrat pritëse (back office), ju njoftoheni nëpërmjet e-mailit ose telefonit rreth ecurisë së aplikimit”, thotë Kuko.

Sipas saj, për çdo rast, operatorët në Drejtoritë e Kufirit dhe Migracionit, Drejtoritë Vendore të Policive në territor si dhe nëpunësit e Gjendjes Civile do të asistojnë qytetarët për t’i orientuar rreth procesit.