52 nga 472 shërbimet që kaluan online nga data 6 janar i përkasin Kadastrës. Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame së bashku me Dhomën e Noterëve nënshkruan sot një marrëveshje. Por cfarë synon kjo marrëveshje? Drejtoresha e Dhomës së Noterëve Mimoza Sadushaj shpjegoi se shkëmbimi i të dhënave në kohë reale do të zhdukë korrupsionin.

“Dhoma kombëtare ka tre vite që po punon për qasjen dixhitale dhe sot kemi nderin të aplikojmë me anë të marrëveshjes së parë. Jo më shërbime prefernciale duke garantuar barazi për qytetarët. Duam të rrisim transparencën për të informuar qytetarët. Të dhënat do të shkëmbehen në kohë reale duke zhdukur korrupsionin. Kjo marrëveshje firmoset kur është vënë në jetë shërbimi online. Për veprimet e hartimit të kontratës dhe firmojes elektronike nga noteri dhe dërgimi i aplikimit në formë dixhitale te Kadastra për procesim të mëtejshëm në formë elektronike” tha ajo.

LEXO EDHE:
Ministrja Denaj: Shërbimet online ulin kostot dhe eleminojnë radhët për qytetarët
Artan Lame u shpreh se marrëveshja që është firmosur synon të garantojë shpejtësi, saktësi dhe pastërti. “Qeveria eci tre ditë më përpara, pasi aplikimet online filluan që në datë 6 janar. Bashkëpunimi jonë në këtë fushë ka dy risi; e para aplikimet online dhe akti i sotëm për marrëveshjen mes dy institucioneve. Vonesat e tre dekadave të fundit i dimë mirë. Do të garantojmë shpejtësi, saktësi dhe pastërti në shërbim.

Një pjesë e mirë është marrëveshja e sotme, dy punuar dy palët në sistem, jemi në gjendje që të pa pasur nevojën e mjetit të stërlashtë, posta, apo këmbët e qytetarit, tani gjithcka operon mes nesh për ato shërbime direkt në sistem. Qytetari paraqitet te sporteli jonë apo i noterit dhe janë institucionet që operojnë me njëri tjetrin. Për saktësinë, më shumë është barra jonë, Kadastrës me gjithë problemet e saj të mbartura në këto 100 vite të shtetit.

Po bëhet një revolucion në Kadastër, ka filluan që në vitin 2013. Ky është një hap tjetër. Sesa probleme ka të trashëguara nuk ia vlen ta themi, pasi të gjithë e kanë provuar. Barra jonë është kryesorja, bashkëpunimi është i domosdoshëm edhe në këtë pikë. Edhe e treta, është pastërtia në shërbime, zhdukjen e sistemit të shushunonj, që rrethon institucionet tona. Ushtrinë e sekserëve që mbijetojnë duke gjetur aty ku çalon sistemi.

Kjo marrëveshje zhduk një pjesë të mirë të kësaj, pjesën tjetër e zhduk aplikimet online. Aty ku qytetarët kanë vështirësi, pasi edhe unë si drejtor, kur u ula të hap një llogari timen në e-Albania para disa muajsh mu deshën disa minuta dhe është normale që shumë njerëz të pa rrahur me këto gjëra e kanë të vështirë. Epokën e Gutenbergut e respektojmë por jemi në epokën e Bill Gates” tha ai.

Lame theksoi më pas se në fund të janarit shpreson që të kalojë ligji për pronat. “Shpresoj që brenda fundit të janarit të kalojë edhe ligji për proceset tranzitore të pronësisë, që na hap një fushë të re bashkëpunimi me të gjitha institucionet shtetërore, por edhe një masë të paparë pune mbi vetë Kadastrën. Ligji është në proces diskutimi pas vërejtjeve nga Komisioni i Venecias. Miratimi i ligjit hap fushë për riformatimin e legalizimeve të mbetura, regjistrimin e tokës bujqësore për të mbyllur kapitullin e 7501” përfundoi ai.

Por si mund të bëhet një aplikim online? Çdo qytetar mund të regjistrohet te e-Albania nga kompjuteri ose telefoni. Dokumentet shoqëruese që jepen nga shteti sigurohen nga punonjësi, ndërsa qytetari duhet të bashkëngjisë vetëm vetëdeklarimet dhe dokumente që jepen nga privati. Te e-Albania do të gjeni edhe listën e shërbimeve që do të aplikohet vetëm online.