Me përfundimin e kontributit 3-vjeçar në detin Egje, Forca Detare ka planifikuar angazhime të reja përgjatë vitit 2020, kësaj radhe në detin Adriatik dhe Jon. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha sot se përveç modernizimit me sistemet e identifikimit automatik të anijeve, pajisjet e komunikimit satelitor dhe të transmetimit të të dhënave, anijet e klasit “Iliria” do të rrisin praninë detare në rajon duke marrë pjesë në aktivitete në Greqi, Itali, Kroaci, Slloveni dhe Mal i Zi.

Kapiteni i rangut II, Sabri Gjinollari, shefi i Shtabit të Forcës Detare theksoi se “objektivat kryesorë të Forcës Detare për vitin 2020, janë mbajtja operacionale e gatishmërisë luftarake të formacioneve të Forcës Detare. Kjo do të realizohet përmes mbajtjes së gatishmërisë së lartë të sistemit të pajisjeve të anijeve dhe kryerjes së operacioneve në det”,- u shpreh kapiteni Gjinollari. “Edhe gjatë këtij viti, plani i modernizimit do të fokusohet kryesisht tek operacionet dhe gatishmëria e anijeve përmes pajisjes me sisteme të reja që do të ndihmojnë në kryerjen e të gjitha operacioneve të Forcave Detare”, shtoi Gjinollari.

“Disa nga planet e modernizimit për vitin 2020, janë sistemet e pajisjes me identifikim automatik të anijeve, pajisjet e komunikimit satelitor dhe të transmetimit të të dhënave, si dhe pajisjet për krijimin e qendrës së të dhënave të luftës kundër “MIR””,- tha ai. “Ne përfundim të aktivitetit në detin EGJE, pjesë e operacionit “Sea Guardian”, këtë vit do të fokusohemi më tepër në rritjen e prezencës detare dhe forcimin e sigurisë detare rajonale përmes një fushate detare, kjo do të thotë që anijet e klasit “Iliria” do marrin pjesë në aktivitete të ndryshme me të gjithë vendet e rajonit, si Greqia Italia, Kroacia, Sllovenia e Mali i zi. Këtë vit do festojmë dhe 95-vjetorin e Forcës Detare që do të marrë të gjithë kujdesin dhe vëmendjen tonë”,- theksoi kapiteni i rangut II, Sabri Gjinollari, shefi i Shtabit të Forcës Detare.