Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mori pjesë në takimin e dytë të nivelit të lartë të nismës franko-gjermane për koordinimin e luftës kundër trafiqeve të paligjshme të Armëve të Vogla dhe të Lehta (AVL) në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky takim u zhvillua nën drejtimin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, Jean-Yves Le Drian dhe në praninë e Komisionerit të Bashkimit Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varhelyi dhe Komisioneres për Punët e Brendshme, Ylva Johanson.

Kryediplomati Cakaj në fjalën e tij nënvizoi vendosmërinë e Shqipërisë në përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra kundër trafikimit të paligjshëm të Armëve të Vogla dhe të Lehta, duke e cilësuar atë edhe si pjesë e hapave në kuadër të integrimit evropian. Duke e quajtur përhapjen e Armëve të Vogla e të Lehta si kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë kombëtare, rajonale dhe më gjerë, Ministri në Detyrë Cakaj theksoi se adresimi i sfidave që burojnë nga trafikimi dhe përdorimi i paligjshëm i AVL-ve është vendosur në prioritetet e Kryesisë shqiptare të OSBE-së, gjatë këtij viti. Në këtë kontekst Ministri në Detyrë Cakaj komunikoi se kryesia shqiptare e OSBE-së planifikon te zhvillojë një konferencë ndërkombëtare mbi sfidat e sigurisë dhe të AVL-ve gjatë gjysmës së dytë të 2020.

Për më tepër, Ministri në Detyrë Cakaj cilësoi luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të AVL-ve si një sfidë sigurie jo vetëm për rajonin por edhe për BE. Në këtë frymë Ministri Cakaj nënvizoi rëndësinë e hapjes se negociatave për anëtarësim si një instrument qe do te nxisë më tej reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe rajoni në këtë fushë.