Alfred Peza

Ngritja e Këshillit Politik dhe arritja e marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës për reformën elektorale, është pritur me emocione të përziera, në panoramën 360 gradëshe të shoqërisë shqiptare. Kjo ishte krejt normale dhe e justifikueshme, në klimën e përplasjeve një vjeçare dhe akteve politike “in extremis”, të përdorura nga opozita më e madhe në vend e ndihmuar edhe nga Presidenti Ilir Meta, përballë mazhorancës qeverisëse të Kryeministrit Edi Rama. Por ajo që bie më shumë në sy dhe bën më tepër çudi në të gjithë këtë tablo të përceptuar publikisht, është një lloj hutimi, një lloj kompleksimi dhe një gjendje “as qesh, as qaj” e lidershipit të opozitës, pas reagimeve të para antiopozitare. LSI dhe krerët e saj duket se e kanë marë më me sportivitet këtë moment duke mos qenë shumë aktivë për të dhënë shumë shpjegime në media dhe publik. Kjo qasje ka anën e vet negative të mungesës së transparencës me strukturat dhe votuesit e tyre. Por është pozitive sepse nuk u duhet që të japin detaje që mund të bien ndesh me qëndrimet e kundërta, të peridhës përpara marrëveshjes.

Lulzim Basha edhe për shkak të peshës më të madhe që ka PD dhe barrës kryesore që ai mban si kryetar i opozitës bashkë me njerëzit rrotull tij, e reflektojnë qartësisht kompleksimin për atë që kanë bërë. Herë u duket sikur me zor e fshehin gëzimin nga ulja në tryezë me përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës së re në Parlament. Herë duket sikur u vjen turp për arritjen e marrëveshjes për miratimin me konsensus të reformës zgjedhore. Herë duket sikur e frenojnë me vetëdije triumfalizmin. E herë herë, duket sikur janë bërë pishman për atë që kanë arritur. Kjo është arësyeja se përse Lulzim Basha është më hiperaktiv se kurrë për të dhënë shpjegime sa mediave, aq edhe strukturave drejtuese të partisë në qendër e në bazë. Sa mbështetësve e përkrahësve të vet, aq edhe opinionit publik në përgjithësi dhe analistëve të parapëlqyer në veçanti. Herë duke e paraqitur atë që ka ndodhur si një fitore të opozitës dhe herë tjetër, si një justifikim për humbjen. Herë kërkon që ti qetësojë të pakënaqurit me kauzën e zgjedhjeve të parakohëshme. E herë tjetër, me rikthimin tek rruga radikale e protestave.

Duke u sjellë në këtë mënyrë, Lulzim Basha nuk bën gjë tjetër, veçse i ul akoma edhe më tepër pikë vetes, në profilin e tij prej udhëheqësi të PD dhe të “Opozitës së Bashkuar”. Sepse me qëndrimet e tij “as mish, as peshk”, ai nuk bën gjë tjetër veçse transmeton dhe injekton, më shumë paqartësi dhe pasiguri, tek të gjithë opozitarët në Shqipëri. Duke ushqyer më shumë teoritë konspirative, në një vend që prodhon pafund të tilla, edhe atëherë kur nuk ndodh asgjë e ngjashme. Lulzim Basha ka vetëm një rrugë për të ndjekur, në mënyrë që të ketë sukses, pas marrëveshjes me PS dhe me opozitën e re Palamentare. Ka modele të spikatura, që kanë ditur në histori ta rikthejnë situatën nga disfavori rrënimtar, në favorin e tyre triumfues. Bill Klinton, është një prej shembujve. Pas mandatit të parë katastrofik si Guvernator i Arkansasit, ai kërkoi faljen e madhe publike për të gjitha gabimet që kishte bërë, duke premtuar dhe arritur suksese pas suksesi. Të cilat e çuan më pas drejt një karriere të shkëlqyer politike, derisa drejtoi për dy mandate me radhë SHBA.

Edhe Lulzim Basha duhet të kalojë nga një rrugë e ngjashme, nëse nuk do që edhe sukseset si këto, ti numërohen si dështime. Ai duhet të tregohet sa më i sinqertë me popullin opozitar dhe ti kërkojë falje për aventurën e pashembullt vetëvrasëse të djegies së mandateve të deputetëve. Duhet ti kërkojë falje që e nxorri opozitën nga Parlamenti, nga sistemi politik dhe demokratik i vendit. Ti kërkojë falje që foli në emër të tyre, kur i ftoi në “revolucionin e molotovëve” dhe bojkotoi zgjedhjet e 30 qershorit. Ti kërkojë falje popullit opozitar që pas 30 vjetësh, i la pa asnjë përfaqësim në Kuvend, në pushtetin qëndror dhe në 61 bashkitë e Shqipërisë. Lulzim Basha duhet ti kërkojë falje popullit opozitar kur i premtoi se do ti rikthente në pushtet, duke mos e fituar atë me votë, por duke synuar që tia dhuronin në tavolinë, përmes kauzës: “Ose ikën Edi Rama, ose shkrihet opozita!”

Vetëm pas kësaj Lulzim Basha do të ndihet i çliruar dhe do të ketë besueshmërinë e duhur, për ti shpjeguar popullit opozitar se demokracia është dialog si ai që ka nisur me mazhorancën e Kryeministrit Edi Rama, në tryezën e Këshillit Politik. Se politika është arti i kompromisit, si ai që u arrit për të votuar reformën e re zgjedhore deri më 15 mars. Se pluralizmi është pranim i kundërshtarit dhe një culture e bashkëjetesës politike në diversitet. Se në pushtet vihet vetëm nëpërmjet votës së qytetarëve dhe me asnjë përrallë e marifet tjetër, jashtë sistemit demokratik të vendit. Pas kësaj, është e sigurtë që Lulzim Basha dhe gjithë lidershipi i opozitës, jo vetëm që nuk do të ndihen të kompleksuar si deri më sot, por do të ndihen më të lehtësuar se kurrë. Të gatshëm për tia nisur nga e para, pas miratimit të reformës, me përgatitjet për fushatën e zgjedhjeve të qershorit 2021.