Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ishte e pranishme në një vizitë zyrtare në Kroaci ku u prit nga Zv. Kryeministri dhe Ministri i Financave, Zdravko Marić. Në takime, Ministrja Denaj kërkoi mbështetjen e Kroacisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa kjo vizitë zyrtare në përkon edhe me javët e para të Kryesimit Kroat në Këshillin e Bashkimit Evropian.
“Vizioni i ngjashëm i Kroacisë dhe Shqipërisë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe momentet historike na kanë bashkuar përherë, duke e shndërruar marrëdhënien tonë në një partneritet strategjik”, u shpreh Ministrja Denaj. Po ashtu, Ministrja tha se eksperienca kroate mbetet shumë e mirë për Shqipërinë në zbatimin e procesit të fiskalizimit, në përthithjen e investimeve të huaja, në zhvillimin e sektorit të turizmit apo edhe në procesin e integrimit si vendi i fundit që ka aderuar në BE.
“Gatishmëria dhe angazhimi ynë do të jetë i lartë për të mirëpritur investimet dhe projektet kroate në sektorët strategjikë. Do të mirëpresim më kënaqësi edhe çdo mbështetje institucionale në kuadër të bisedimeve teknike me Komisionin Evropian dhe ato politike me strukturat e BE-së në tërësi”, theksoi Ministrja Denaj gjatë kësaj vizite. Nga ana e tij, Ministri i Ekonomisë Horvat premtoi mbështetjen e Qeverisë kroate për integrimin e Shqipërisë në BE, nisjen e procedurave për një linjë direkte ajrore Zagreb-Tiranë dhe bashkëpunimin konkret në fushat si turizëm, transport detar dhe zejtari. Denaj mori pjesë edhe në Forumin e Përbashkët të biznesit organizuar nga dy Dhomat Kombëtare të Tregtisë se dy vendeve, ku theksoi se kjo është një mundësi shumë e mirë për një intensifikim të marrëdhënieve mes investitorëve shqiptarë dhe kroatë, si dhe për të prezantuar Shqipërinë në një audiencë më të gjerë.
“Investimet në turizëm, agroturizëm dhe bujqësi në tërësi, hapësira për investime në energji të rinovueshme dhe zonat e lira ekonomike janë me potencial të lartë për zhvillim dhe për të krijuar një standard tjetër për modelet e biznesit në këto fusha”, u shpreh Ministrja Denaj në fjalën e saj në Forum. Sipas Ministres, Diaspora shqiptare në Kroaci ofron gjithashtu një avantazh i cili mund të materializohet së shpejti edhe në kuadrin ekonomik.