Sabina Veizaj
Eraldon e gjend çdo ditë pasdite deri në mesnatë duke shërbyer tek një nga kioskat e më të pasurve shqiptarë ( paradoksi ky) ku shitet hot dog , përbri Universitetit të Arteve.
Ai ka disa muaj që punon aty dhe është “i kënaqur”, por ëndrrat e tij janë shumë më të mëdha se kaq.
Kur hodhi lart në qiell kapelen e diplomimit, ndjeu se mund të bënte gjithçka dëshironte në jetë.
“Mamit dhe babit nuk i tregova për ditën e diplomimit sepse nuk doja t’i largoja nga puna”- më thotë Eraldo gjatë një bisede me të.
Ai është modeli atipik i të rinjve të gjeneratës së tij.
Ndërsa millennials-at e kanë domosdoshmëri tostin me avokado, Eraldo Lame, 21 vjeç po përpiqet të kursejë për të realizuar ëndrrën e madhe të tijën; çeljen e një ferme me kafshë.
Ai vjen nga një model dështimesh të njëpasnjëshme të të atit të tij të drejtë, “por të pafat” siç e përshkruan Eraldo. Por në fakt, filmi i kujtimeve në mendjen e Eraldos, ka theksuar ngjyrat e përpjekjeve të të atit për t’ia bërë familjes rrugëtimin e jetës më të bukur dhe më të lehtë.
“Im atë që në adoleshencë ka qenë shumë punëtor. Në pamundësi financiare për të zbatuar idetë e tij me punëtorë të tjerë, së bashku me gjyshin, dalëngadalë do të ndërtonin në Këlcyrë, vendlindje, një restorant, biznesin e parë të familjes”- kujton Eraldi.
Por që duke pretenduar më shumë, teksa sistemet ndryshuan, në 1990 i ati i Eraldos do të provonte tre herë rrugën për tu vendosur në Greqi për të punuar.
Pas dy dështimesh, ai do të vendosej në Kretë, Rethimo dhe do të merrte të shoqen.
“Prindërit e mi e kanë filluar gjithmonë nga zeroja. Pavarësisht se ndoshta fati nuk ka qenë në anën e tyre, ata kanë pasur gjithmonë dëshirë, pasion dhe entuziazëm për t’ia dalë.”- më tregon Eraldo.
I ati do të punonte në atë kohë në vreshtari e më pas në ndërtim, kurse e ëma do ta niste si sanitare e më pas do të punonte në kuzhinën e një restoranti.
Eraldo ka pasion kafshët. Ai dëshiron të rikthehet në Këlcyrë kur të mundet të hapë fermën e vetë.
“Gjatë universitetit, ku studioja për zooteknik, unë punoja si kamerier. Doja shumë të mblidhja para, që pasi të diplomohesha të hapja një dyqan me një shok ku të shisnim ushqime dhe ilaçe për kafshë. Nuk duhej ndonjë kapital i madh, diku tek 3 mln lekë të vjetra, por nuk arrita ti mblidhja dot. Prindërit u ofruan të më ndihmonin, por nuk pranova. Dua që çdo gjë ta mbërrij me forcat e mia”- më thotë Eraldo tek kujton përpjekjet e të atit për të mbajtur më këmbë fermën e ngritur me kursimet e punës në Greqi.
“Mami nuk ishte e kënaqur fort në Greqi fillimisht. Babi nuk kishte shumë të ardhura dhe ne jetonim në bodrum kur linda unë. Mami vendosi të ktheheshim. Por më pas u pendua. Babi ndërkaq përpiqej të fitonte më shumë derisa arriti të na krijonte kushtet. Të dy punuan disa vite në Greqi derisa ndodhi kriza ekonomiko-financiare dhe aty prindërit vendosën të ktheheshin përfundimisht në Shqipëri në 2011”- më tregon Eraldo.
Një vit ai ka qëndruar tek halla në Tiranë ku vijonte edhe sportin e nisur në Kretë.
“Isha shumë mirë më Greqi me sportin, por këtu nuk ndjehesha i kënaqur sepse nuk kisha prindërit të më shikonin. Ata ishin në Këlcyrë duke u përpjekur të investonin në fermë. Në Greqi ata ishin prezent në çdo ndeshje dhe më frymëzonin, prezenca e tyre më jepte entuziazëm dhe më nxiste të jepja më të mirën time. Kam arritur shumë në futboll atje. Por në atë periudhë dëshiroja të isha pranë prindërve”- kujton Eraldo, i cili nga biseda kuptova që përherë kërkon të kthehet tek rrënja.
Rioshi ka shumë ëndrra dhe plane për të ardhmen. Tek e dëgjon të flasë, me një droje që e përshkon të tërin, duke prekur shpesh me dorën e djathtë baluken e gjatë që i bie mbi sy për ta shpënë pas veshit, me zërin e ulët dhe vëmendjen ndaj bisedës, pasionin për interesat e veta, të ngjan sikur nuk je duke folur me një të ri të sotëm.
Të duket sikur ke përpara një suvenir të një mijëvjeçari tjetër.
“Kjo puna që bëj tani përveç të tjerash më ka shërbyer se kam njohur edhe njerëz të profesionit tim. Një zooteknik, klient më ka thënë; jo të gjithë që diplomohen për zooteknik, mund të jenë të tillë dhe më pyeti nëse e njihja molosin. I tregova që është qen Ilir dhe e kalova testin, (qesh)”, por Eraldos i çukit gjithë kohës në mendje krijimi i një ferme, pasi dëshirën e të atit nuk mund ta kujtojë si dështim.
“Babi së bashku me xhaxhain kur u kthyem nga Greqia vendosi të hapë një fermë. U tregua i pakujdesshëm për të studiuar tregun dhe të pyeste profesionistë. Nuk e di se sa investoi ekzaktësisht, por di që shpenzoi shumë dhe hodhi shumë. Vetëm një dhi alpine franceze kushtonte 300 euro, një këlysh i qenit të Sharrit kushtonte 400 euro. Babi bleu rreth 30 krerë dhi, 2 këlysha Sharri, 2 mëza, më vonë një gomar. Kafshët i bleu në Maqedoninë e Veriut”- tregon Eraldo.
Tek vijonte shkollën e mesme në Këlcyrë, ai ndihmonte të atin me punët e fermës.
“Nga qyteti në fermë e bëja rrugën më këmbë, 30 minuta. Ishte punë e bukur se i doja shumë kafshët dhe natyrën. Im at më vonë vendosi të merrte edhe 100 krerë dhi në Shqipëri, në një fshat ngjitur. Nga padija, një prej tyre qëlloi me sëmundjen e brucelozës (plasjes) dhe ua ngjiti shumë të tjerave. Unë kujtoj që i varrosja vetë. Teksa babi njëkohësisht investonte edhe në pemtari, fruta-perime dhe vreshtari. Nuk na eci sepse në zonë të gjithë mbillnin, plus që toka jonë rastisi jo shumë pjellore. Qumështi shkoi 30 lekë. Babi u detyrua të shiste gjithçka dhe të vinim në Tiranë”- më rrëfen Eraldo.
Ai mendon se do t’ia dalë të ketë fermën e vetë sepse është profesionist, ka eksperiencë e mbi të gjitha e do atë punë.
“Unë jam shumë i pasionuar edhe pas historisë e arkeologjisë. Mendova të bëj një vit pushim dhe masterin ta ndiqja vitin tjetër për arkeologji, por dashuria e madhe për kafshët dhe nostalgjia për fermën në Këlcyrë më bënë që të vendos se edhe masterin do ta vijojë për zooteknik. Në fakt kam disa skenarë, duke u nisur nga dështimet e babit. Dhe jam i bindur që diçka të mirë do ta realizoj në jetë sepse në fund edhe babi ia doli. Ai tani punon me xhaxhain në fushën e ndërtimit. Jemi mirë”- më tregon Eraldo.
Ai nuk është si të rinjtë e tjerë që një nga kënaqësitë kanë të qëndruarit për orë të tëra në bare.
Ai bën punët e shtëpisë sepse “nuk e duroj dot lëmshin.”, pret të motrën të vijë nga shkolla dhe bën kakao për të dy e ulen e bisedojnë në dhomën e ndenjes me njëri tjetrin.
“Ky është momenti më i bukur i ditës”- më rrëfen Eraldo.
Tek e pyes nëse ka dëshirë të largohet nga Shqipëria, më thotë se është i bindur që do të qëndrojë në Shqipëri, madje jo në Tiranë, por në Këlcyrë ku shpreson me gjithë forcën të krijojë fermën e tij.
“Tirana nuk më pëlqen, ka rrëmujë dhe zhurmë” – më thotë e mandej në fund të bisedës më tregon një sekret që më thotë se është në dijeni vetëm e motra.
Ndërsa qesh dhe nuk arrin të artikulojë dot.
“Është shumë për të qeshur, por do të ta tregoj. Kam parë rreth një vit më parë në ëndërr një ushtar ilir, që fliste ilirisht, nuk ishte shqip. Por në ëndërr e kuptoja atë gjuhë. Ushtari më thoshte që të mos largohesha nga Shqipëria. Por nuk është vetëm kjo. Ajo që më ka bërë të vendos që të mos largohem është babi. Ai më ka thënë që “nuk ka si shtëpia jote”.
Shtëpia e tij, thotë Eraldo është liria që të jep natyra dhe sakrifica për të arritur atë që do.(gazetaSI)