Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri e konsideroi sot përfundimin e ndërtimit të HEC-it të Moglicës, në kuadër të projektit të Statkraft për kaskadën e Devollit, një lajm shumë të mirë për sektorin elektroenergjetik në Shqipëri.
“Pas mbushjes së rezervuarit do të bëhet i mundur fillimi i prodhimit të energjisë. Krenar që jo vetëm garantuam kushtet optimale për mbarëvajtjen e këtij investimi, por dhe përmes amendimit të kontratës, shmangëm izolimin e banorëve, duke bashkëfinancuar me kompaninë koncesionare ndërtimin e rrugëve zëvendësuese, që lidhin fshatrat me akset nacionale”, u shpreh Gjiknuri, ish-ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Gjithashtu, ai theksoi se “u garantua strehimi i të gjithë banorëve të prekur nga projekti në Moglicë dhe Banjë”.
“Prodhimi vjetor në hidrocentralin e Moglicës do të arrijë 475 GWh. Duke llogaritur tashmë edhe HEC Banjën që ka përfunduar dhe vënë në punë, së bashku do të prodhojnë 729 GWh në vit, duke mundësuar rritjen e prodhimit të energjisë në Shqipëri me 17 %. Vlera totale e investimit të Statkraft për këto dy hidrocentrale arrin në mbi 535 milionë euro”, tha Gjiknuri.