Të gjithë të çmendur pas Erling Haaland. Sulmuesi norvegjez ka magjepsur me performancën dhe golat e tij te Red Bull Salzburg, aq sa për të tunduar klubet më elitare të Europës, por me një fitues të vetëm në garën për shërbimet e tij: Borussia Dortmund.
Referuar raportimeve të “The Athletic” vedhezinjtë kishin piketuar këtë futbollist premtues që dy vite më parë. Gjithsesi, për të realizuar transferimin e madh u desh ndërhyrja e disa elementëve. Fillimisht një zbulues i dedikuar, që të monitoronte paraqitjet e 20-vjeçarit.
Më pas edhe ndikimi i sponsorit teknik, “Puma” duke nxitur dhe favorizuar tratativën, si dhe në fund “WhatsApp” rezultoi shumë i rëndësishëm gjithashtu.
Në fakt, me iniciativën e mesfushorit danez Thomas Delaney, futbollistët e Borussia Dortmund nisën një bombardim të vërtetë duke sulmuar Haaland me mesazhe për ta bindur që të pranonte propozimin e verdhezinjve. Në përfundim, Dortmund triumfoi ndaj konkurrentëve: Manchester United dhe Juventus.