Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka theksuar se ka një lëvizje në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe LDK-së.
“Kemi lëvizje në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes të dy partive. Nesër takohemi prapë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Të njëjtën e ka konfirmuar edhe LVV përmes një komunikate, ku është thënë se ka përafrim në bisedim për formimin e koalicionit qeveritar, ndërsa nesër do të takohen përsëri.
Kryetarët e dy partive politike fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurti i LVV-së dhe Isa Mustafa i LDK-së, për dy ditë me radhë janë takuar në Kuvendin e Kosovës në përpjekje për arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje. Të dy takimet kanë zgjatur nga tre orë dhe krerët e partive politike nuk kanë dhënë asnjë deklaratë për media, për veç zëdhënësit të LDK-së, i cili në dy rastet ka njoftuar se do të takohen sërish nesër për të vazhduar bisedimet.