Gjiganti suedez i mobilimit IKEA ra dakord për të paguar 46 milionë dollarë kompensim për prindërit e dyvjeçarit, Jozef Dudek, i cili vdiq i mbytur në raftin e një komodine, në vitin 2017, në Kaliforni. Sipas avokatëve, ky është kompensimi më i madh i dhënë për vdekjen aksidentale të një fëmije në SHBA.
Në vitin 2016, IKEA kishte rënë dakord të paguante 50 milion dollarë në përfundim të padisë së paraqitur nga familjet e tre fëmijëve të tjerë që vdiqën në në të njëjtën mënyrë: Camden Ellis dhe Curren Collas, të dy dyvjeçarë, dhe Ted McGee, 23 muajsh. “Megjithëse asnjë marrëveshje nuk mund të ndryshojë ngjarjet tragjike, për të mirën e familjes dhe të gjithë atyre që janë të përfshirë ne jemi mirënjohës që kjo padi ka marrë fund”, theksoi një zëdhënës i IKEA-s.
Prindërit e Jozef Dudek kanë njoftuar se do të dhurojnë një milion dollarë në kompensim për organizatat që mbrojnë fëmijët nga produktet e rrezikshme.